Pesë persona ranë në pranga dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim nga policia, pasi ata në bashkëpunim me njëri tjetrin kishin krijuar katër subjekte fiktive dhe përgjatë viteve 2018-2019, kanë kryer shitje fiktive në vlerën e rreth 130 milionë lekëve duke i shkaktuar shtetit nëpërmjet tatimit të vlerës së shtuar, pra TVSh-së, një dëm prej rreth 20 milionë lek.
Pesë të arrestuarit e këtij operacioni janë; Shpati Agolli, administrator i shoqërisë “S.Agolli Group”; Samuel Hajdini, me detyrë specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve; Elsion Allushi, me detyrë administrator i Zyrës së kontabilitetit “Smartfin”, Leonard Runa, ekonomist në zyrën e kontabilitetit “Smartfin” si dhe Adrian Keke, i përfshirë në skemën e mashtrimit pasi ka bërë deklarimet e subjekteve fiktive
Nga hetimet ka rezultuar se dëmi prej 20 milionë lekësh nëpërmjet TVSH-së është kryer nëpërmjet subjekteve “Liana Solution”, “S.Agolli Group”, “Solution &Construction 2000” dhe Studio e kontabilitetit “Smartfin”, të cilët kanë realizuar shitjet fiktive.
Për pesë të arrestuarit dhe dy personat e shpallur në kërkim gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg.
Mbi të gjithë të përfshirët në këtë skemë mashtrimi me dëm financiar ndaj shtetit, do të rëndojnë të njëjtat akuza: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”.
Top Channel