U arrestua në operacionin “Mezhgorani”, Gjykata vendos “detyrim paraqitje” për biznesmenin Sait Fishta

02/03/2020 21:28

TIRANË- Biznesmeni Sait Fishta, është lënë me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Kjo masë është kërkuar edhe nga prokuroria. Biznesmeni aktualisht është i shtuar në QSUT dhe masa i është komunikuar pikërisht në spital.

Fishta u arrestua si pjesë e operacionit “Mezhgorani”, po ashtu më parë në arrest shtëpie u la edhe Besnik Fishta, vëllai i biznesmenit dhe ndërtuesit nga Shkodra Sait Fishta.

Në këtë operacion u arrestua edhe botuesi i njohur Henri Çili nën dyshimet se ka ndërhyrë për të siguruar favore për dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko, i pari i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i dyti me 18 vite burg, me vendim të formës së prerë, për vrasjen e një efektivi të policisë në Lazarat, gjatë aksionit të vitit 2015 kundër kultivimit të marijuanës.

Çili duket se është implikuar në këtë histori nga Gazmir Ajdini, vëllai i bashkëjetueses së tij, një person me precedentë penalë. Duket se ka qenë pikërisht Ajdini, ai që i është ofruar babit të të dy vëllezërve Aliko, duke premtuar rishikimin e vendimeve për djemtë e tij në Gjykatën e Lartë në këmbim të parave. Sipas dosjes hetimore Çili mësohet të ketë premtuar mbështetje në media, ndërsa ka takuar dhe një “zyrtar të lartë të Drejtësisë” të cilit i ka kërkuar që dosja ndaj vëllezërve Aliko të shihet me precedencë. Sipas të dhënave të para gjithashtu, bashkëjetuesja e Çilit dyshohet të ketë përfituar dy apartamente, pikërisht për shkak të angazhimeve të këtij të fundit në ndihmë të të dënuarve.

Në pranga mësohet se ka përfunduar dhe noterja e cila ka bërë aktet e dhurimit, biznesmeni nga Shkodra Sait Fishta, i cili dyshohet të ketë ofruar apartamentet e dhuruara, për shkak të miqësisë me babain e vëllezërve të dënuar, si dhe një avokat, drejtor juridik pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Top Channel