Superaksion në Itali, Belgjikë, Gjermani, Spanjë e Shqipëri/ Arrestohen 27 trafikantë, 8 shpallen në kërkim

02/03/2020 17:10

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është zhvilluar një operacion i përbashkët mes policive të Italisë, Belgjikës, Shqipërisë, Gjermanisë dhe Spanjës, ku është goditur një grup kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotike, grabitje me armë dhe trafikim armësh.

Operacioni i koduar “KITCHEN” ka çuar pas hekurave në Shqipëri P. H., 33 vjeç, banues në Kodras, Peqin, ndërsa J. S. është shpallur në kërkim. Për këta dy persona më datë 26.02.2020 Gjykata e Brescias/Itali ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale ”Trafikimi i lëndëve narkotike”, si pjesë e grupit kriminal.

Gjatë operacionit janë ekzekutuar gjithsej 35 urdhra arresti të lëshuara nga autoriteti gjyqësor i Brescias, Itali, nga këta 27 janë arrestuar, ndërsa 8 janë shpallur në kërkim.

Sipas policisë në Shqipëri aksioni është zhvilluar në Elbasan, Durrës dhe Shkodër dhe në të kanë marrë pjesë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Forca e Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Durrës e Shkodër.

Policia e Shtetit ka qenë pjesë e operacionit me shtrirje ndërkombëtare dhe në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Skuadra Mobile të Brescias, Aleksandrisë, Comos, Monxas, Briancas, Pavias, Ferraras dhe Veronas në Itali, si edhe me policitë homologe në Belgjikë, Gjermani dhe Spanjë.

Koordinimi është bërë nëpërmjet zyrave të ndërlidhjes homologe si në Itali, Bari dhe Romë,  ashtu edhe në Shqipëri, në departamentet përkatëse të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe me Interpol Tirana e Interpol Roma.

Akuza ndaj këtij grupi kriminal është ajo e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në bashkëpunim, mbajtje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, grabitje, mbajtje dhe dhënie të armëve luftarake.

Hetimi ka filluar ndaj një grupi të strukturuar marokenësh dhe italianësh që trafikonin hashash nga Maroku, e më pas janë zbuluar edhe elementë të një grupi kriminal me origjinë shqiptare që trafikonin kokainë nga Holanda, duke furnizuar tregun në Italinë e Veriut e saktësisht në zonën e Brescias.

Hetimi ka zbuluar 4 persona me origjinë shqiptare dhe një shtetase rumune që i përkisnin të njëjtit grup kriminal.

Hetimi ka filluar në muajin tetor të vitit 2017 dhe ka vijuar me intensitet duke sjellë arrestime dhe goditje gjatë vitit 2018, kur janë bërë edhe sekuestrimet dhe arrestimet më të shumta.  Ndërkohë që ditën e sotme janë ekzekutuar në të njëjtën kohë urdhër arrestet e lëshuara nga prokuroria e Brescias.

Edhe në këtë operacion Policia e Shtetit tregoi se është e aftë profesionalisht dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar, duke bashkëpunuar si e barabartë me partnerët ndërkombëtarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA