Një raport i fundit në Britani thotë se ka pasur një seri vetëvrasjesh të ish-ushtarakëve në Afganistan.
14 ushtarakë dhe ish-ushtarakë besohet se janë vetëvrarë në dy muajt e fundit, shumica e të cilëve ishin pjesë e një njësie të veçantë të përfshirë në Oepracionin Herrick të trupave britanike atje.
Gazeta “Times” nuk e saktësonte njësinë në fjalë pasi sipas autoriteteve kjo mund të sjellë më shumë humbje jete mes anëtarëve. Deputeti britanik Johnny Mercer i cili ka qenë vetë ushtarak, ka thënë se ushtarakët mund të kenë vuajtur simptoma të vonuara të çrregullimit të stresit post traumatik.
Ai shtoi se vdekjet e fundit vijnë nga një njësi që ka shërbyer atje gjatë periudhës më të përgjakshme të konfliktit.
Mercer tha se zhvillimet kanë bërë që qeveria të krijojë programe të reja të trajtimit mendor për veteranët e luftës, për çështje si stresi post-traumatik, varësitë dhe borxhet.
Çështja mori më shumë zë pas vetëvrasjes së 30 vjeçarit Jamie Davis, pasi kishte shërbyer në Afganistan dhe u largua nga ushtria në 2015 dhe u kualifikuar si punonjës guri. Ai nuk arriti të tejkalonte tmerret e jetuara si vrasja e fëmijëve dhe plagosjet e shokëve.
Jamie ishte veterani i parë i vetëvrarë këtë vit, dhe i 150-ti që prej janarit 2018.
Top Channel