Të mërkurën e ardhshme është në program ndeshja e kthimit të Kupës së Italisë mes Juventusit dhe Milanit në “Allianz Stadium”, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse ky takim do të luhet me praninë e tifozëve apo me dyer të mbyllura.
Qeveria italiane, në një video-konferencë me kryetarët e rajoneve, ka propozuar që sfida të luhet me dyer të hapura, por të ndalohet prania e tifozëve nga disa rajone të caktuara, që cilësohen edhe si më të prekurit nga Coronavirusi.
Në rajonin e Piemontes nesër përfundon edhe ndërprerja një javore e aktiviteteve sportive dhe nga e hëna gjithçka duhet t’i rikthehet normalitetit, por gjasat janë që përballja e të mërkurës në mbrëmje të luhet pa praninë e tifozëve milanezë dhe atyre që banojnë në Lombardi.
Ndërkohë Juventusi U23 ka përfunduar në karantinë, pasi një lojtar i Pianeses, skuadër me të cilët bardhezinjtë u përballën më 23 shkurt, ka rezultuar pozitiv ndaj virusit që ka vënë në alarm botën mbarë.
Top Channel