Europa League/ Inter, M.United dhe Sevilla avancojnë pa probleme, eliminohen Ajaxi dhe Benfica!

28/02/2020 00:52

Inter, Manchester United dhe Sevilla kanë avancuar pa asnjë problem në raundin e 1/8-ave të Europa League, ndërkohë Ajaxi nuk arriti të përmbyste dot humbjen 2-0 të ndeshjes së parë ndaj Getafes dhe u eliminua edhe nga kompeticioni i dytë më i rëndësishëm për klube. Në një San Siro të boshatisur për shkak të frikës nga Koronavirusi, Interi bëri detyrën ndaj Ludogorets duke fituar edhe takimin e kthimit me shifrat 2-1, një fitore me përmbysje e zikaltërve me golat e Biraghit dhe Lukakut.

Dhuroi spektakël në Old Trafford, Manchester United që mposhti 5-0 në takimin e kthimit belgët e Club Brugge ndërkohë që ndeshja e parë kishte përfunduar në barazim 1-1. Bruno Fernandes me penallti, Ighalo McTominay dhe Fred që shënoi dy herë ishin autorët e golave për skuadrën e Solskjaer. Sevillas i mjaftoi ai gol në fushë kundërshtare për të eliminuar rumunët e Cluj, pasi në Ramon Sanchez Pizjuan u nda në një barazim pa gola.

Ajaxi fitoi 2-1 me përmbysje sfidën e kthimit ndaj Getafes në Holandë por disfata 2-0 në ndeshjen e parë, bëri që harkëtarët t’i jepnin lamtumirën edhe Europa Leagues edhe pse ishin një nga skuadrat pretendente për ta fituar këtë kompeticion.

Surprizoi Shakthar Donetsk që barazoi 3-3 në Portugali ndaj Benficas duke eliminuar edhe skuadrën e tretë portugeze dhe të fundit që ishte pjesë e këtij kompeticioni në ruandin e 1/16-ave.

Ukrainasit kishin triumfuar 2-1 në shtëpi në ndeshjen e parë. Ndërkohë që surprizë mund të konsiderohet eliminimi i Celtic që u mposht në shtëpi me shifrat 1-3 nga FC Copenhagen që avancoi më tej me rezultat të përgjithshëm 4-2 në favor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA