Përhapja në rritje e koronavirusit ka tronditur tregjet e aksioneve. Autoritetet në Kinë dhe vendet e tjera të prekura rëndë nga virusi kanë vendosur bllokada që kanë paralizuar prodhimin dhe kanë ndërprerë turizmin apo sektorë të tjerë të rëndësishëm. Zëri i Amerikës shqyrton rreziqet për ekonominë globale nëse koronavirusi bëhet një pandemi, pasi disa ekspertë të shëndetit druhen se një skenar i tillë mund të bëhet realitet.
Tregjet e aksioneve nga Shtetet e Bashkuara në Azi dhe Evropë janë goditur rëndë, pasi autoritetet shëndetësore konfirmojnë zona të reja të infeksionit të koronavirusit nga Lindja e Mesme në Evropë.
“Tregu tani po arrin të kuptojë se kjo epidemi nuk ka arritur kulmin, tani duket se po përhapet dhe do të shkaktojë shumë ndërprerje në zinxhirët e furnizimit global në industrinë e udhëtimit, turizëm, e më gjerë”, thotë Desmond Lachman në Institutin American Entreprise.
Koronavirusi ka shkaktuar frikë të madhe dhe reagime gjithnjë e më të ashpra nga autoritetet në shumë vende, duke imponuar bllokime me efekte paralizuese për tregtinë, veçanërisht në Kinë – ekonomia e dytë më e madhe në botë.
“Në Kinë është një situatë ku 150 milion njerëz janë të bllokuar, ju e dini, këta njerëz që shkuan në shtëpi për pushimet e Vitit të Ri, tani nuk mund të kthehen në punë”, thotë Desmond Lachman.
Ndërsa kompanitë ndjejnë efektin, të njëjtën gjë do të ndjejnë edhe konsumatorët.
“Do të shohim ndikime reale ekonomike nga ky shpërthim. E kemi parë tashmë në fakt. Për shembull, kur Apple thotë se do të ketë një ndikim të dukshëm në aftësinë e saj për të prodhuar iPhone në planin afatshkurtër”, thotë eksperti Mark Hamrick.
Disa besojnë se ndikimi ekonomik do të jetë intensiv, por afatshkurtër. Analisti Mark Hamrick e krahason koronavirusin me një uragan – pasi të kalojë, fillon rimëkëmbja dhe aktiviteti gradualisht kthehet në normalitet.
“Për investitorët që janë përqendruar vetëm në planin afatshkurtër, këto janë ndikime shumë reale. Për investitorët që janë përqendruar në terma afatmesme dhe afatgjatë, ata do të shikojnë përtej kësaj dhe do të thonë, “kjo do të kalojë dhe do të vazhdojnë të investojnë”.
Por studiuesi Desmond Lachman beson se ndikimi në Kinë do të jetë më i gjatë, me kompani që do të kërkojnë të diversifikojnë zinxhirët e tyre të furnizimit, në mënyrë që të mbështeten më pak tek Kina në të ardhmen.
“Kompanitë do të nxjerrin mësime nga kjo përvojë. Pritshmëria ime është që kjo do të ketë pasoja afatgjatë për ekonominë kineze. Kina nuk do të duket tërheqëse për investimet e huaja”.
Koronavirusi nuk do të jetë patogjeni i fundit me efekte ekonomike që përhapet përtej kufijve dhe kontinenteve. Pyetja, thonë analistët, është se çfarë mësimesh do të nxjerrin vendet dhe kompanitë nga shpërthimi dhe nëse ekonomia globale do të bëhet më elastike ndaj tronditjeve të ardhshme./VOA
Top Channel