Konferenca e donatorëve ku Shqipërisë ju premtuan 1.15 miliardë euro grante dhe kredi nuk i ka ndryshuar planet e qeverisë për të dalë sërish në tregjet ndërkombëtare për borxh. Ministria e Financave çeli këtë të hënë për herë të dytë garën për përzgjedhjen e bankave që do të marketojnë Shqipërinë në tregjet financiare të europës si dhe do të udhëheqin emetimin e eurobondit.
Ky është tenderi i dytë, pasi i pari dështoi. I zhvilluar në datën 4 shkurt, në të paraqitën ofertë vetëm dy banka relativisht të vogla, të cilat nuk garantonin emetimin me sukses të eurobondit. Rrjedhimisht ministria e financave e anuloi duke e rihapur sërish garën këtë të hënë dhe duke caktuar si afat për dorëzimin e ofertave datën 4 mars.
Përgjithësisht emetimi i eurobondeve shqiptare është udhëhequr gjithmonë nga banka gjigande në arenën ndërkombëtare si JP Morgan, Goldman Sachs apo dhe Deutsche Bank. Por në tenderin e parë që u zhvillua në katër shkurt ofertat e këtyre bankave munguan.
Sipas thirrjes së shpallur, qeveria synon të marrë 600 milionë euro përmes eurobondit të radhës. Sipas saj pjesa më e madhe e parave do të përdoren për të zëvendësuar borxhin ekzistues, ndërsa vetëm një pjesë është borxh i ri shtesë që do të përdoret për financimin e deficitit buxhetor të këtij viti.
Herën e fundit Shqipëria doli në tregjet ndërkombëtare në fund të vitit 2018. Në atë kohë ministria e financave kontraktoi 500 milionë euro borxh me afat 7 vjeçar dhe interes prej 3.5 për qind. Këtë herë qeveria kërkon të marrë 600 milionë euro me afat shlyerje nga 7 deri në 10 vjet.
Top Channel