Transfertë delikate për Realin, Barça e “kërcënon” nga pas!

22/02/2020 10:19

Ecuria e shkëlqyer e Realit të Madridit mori fund fund javën e kaluar, kur ekipi i drejtuar nga Zinedine Zidane nuk shkoi përtej barazimit 2-2 në shtëpi, ndaj një një ekipi modest si Celta Vigo, që këtë sezon rrezikon ndjeshëm për t’u rrëzuar një kategori më poshtë.

Trajneri francez përmirësoi ndjeshëm mbrojtjen dhe për rrjedhojë përpara sfidave të fundit skuadra merengues mbylli 7 nga 10 ndeshjet e luajtura në të gjithë kompeticionet pa pësuar as gol, sidoqoftë gjërat ndryshuan sërish dhe në tre sfidat e fundit “Los Blancos” filluan të fusin ujë në prapavijë. 4 gola në Bernabeu me Sociedad-in, 1 në Pamplonë me Osasunën dhe 2 golat e fundit të pësuar brenda në Madrid nga ekipi galician ngjajnë si këmbana alarmi, sidomos në këtë pjesë të kalendarit, ku për hir të së vërtetës Reali luan gjithë sezonin. Të shtunën në mbrëmje në orën 21:00 rekordmenët e futbollit spanjoll do të vizitojnë në Valencia skuadrën e Levantes, që ndodhet në shkallët e poshtme të tabelës së renditjes. Nën drejtimin e trajnerit Paco Lopez vendasit e filluan mirë kampionatin, megjithatë skuadra valenciane ka humbur 6 nga 8 takimet e fundit në të gjithë kompeticionet, duke zbritur në vendin e 13 në Primera Division, në kuotën e 29 pikëve.

Në krahun tjetër Reali kryeson kampionatin me pothuajse dyfishin e pikëve, por në mënyrë të pashmangshme trajneri Zidane e ka mendjen edhe te dueli i parë në karrierë me Pep Guardiolën, në sfidën e vajtjes të fazës së 1/8 në Champions Real-City, që do të mbahet në Santiago Bernabeu pikërisht të mërkurën e ardhshme. Trajneri Zidane i ka të gjithë futbollistët në dispozicion, me përjashtim të dyshes Mariano Diaz- Marco Asensio, gjithsesi udhëtimi në komunitetin valencian nuk pritet të jetë edhe aq i qetë, duke patur parasysh vuajtjet e mëdha që ka patur Reali në sfidat e fundit ndaj këtij kundërshtari.

Ekipi madrilen i ka fituar minimalisht dy përballjet e fundit ndërmjet tyre në Primera Division, sidoqoftë në pesë sfidat e fundit Levante numëron 2 barazime me gola, si dhe një fitore të madhe, me shifrat 2-1 16 muaj më herët, për më tepër brenda në Tempullin e Madridizmit, kur klubi drejtohej nga Lopetegui, trajner që në fakt u shkarkua vetëm një javë më vonë pas disfatës 5-1 në El Clasico, gjithsesi 3 pikët janë një detyrim për skuadrën merengues, sepse sic dihet më datë 1 mars Reali do të presë në kryeqytet Barcën në El Clasico-n e dytë të sezonit dhe në mënyrë të kuptueshme Los Blancos do të bëjnë çmos për t’i pritur kampionët në fuqi, duke ruajtur pozicionin e kreut. Më herët në orën 18:30 në San Sebastian Sociedadi do të masë forcat me skuadrën e Valencias, në një duel të drejtpërdrejtë për Zonën Champions, me “Los Che” që për momentin kanë vetëm një pikë me tepër në klasifikimin e përgjithshëm, ndërsa në orën 16:00 Barcelona ka një detyrë të thjeshtë në Camp Nou, përballë Eibarit ku objektiv të vetëm ka fitoren.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA