Sfida e zhvilluar në ‘Air Albania Stadium’ mes Tiranës e Kukësit nuk u zhvillua me qetësi të plotë.
Gjatë zhvillimit të saj pati momente të nervozizmit të tifozëve që kryen sjellje aspak të hijshme duke shkaktuar dëme në shkallët e stadiumit duke sjellë edhe reagimin e Federatës shqiptare të Futbollit.
Kjo e fundit nëpërmjet një komunikate për shtyp bëri të ditur se dënon këto akte vandalizmi të kryer nga tifozët e Tiranës dhe Kukësit duke publikuar edhe një video të dëmeve të shkaktuara, ndërkohë që kërkuan që përgjegjësit të përballen me ligjin
Në komunikatën e Federatës Shqiptare të Futbollit theksohet janë dëmtuar në total 164 stola të stadiumit, 145 nga të cilat u dëmtuan nga tifozët bardheblu e 19 nga ata të Kukësit.
Qeveria e futbollit në vend tashmë ka bërë një kërkesë zyrtare në drejtim të Policisë së Tiranës për ndalimin dhe arrestimin e këtyre personave me këtë të fundit që nisi edhe procedimin.
Po kështu, Federata shqiptare e Futbollit në komunikatën e saj u bën thirrje klubeve dhe grupeve të tifozëve për marrjen e masave dhe respektimin e ligjit në të gjitha ambientet sportive në vend.
Institucioni më i lartë i futbollit në vend shtoi se Komisionet e tij do të hyjnë në veprim për të marrë masat e duhura ndëshkuesve ndaj atyre që kryen këto akte vandalizmi.
Top Channel