Probleme në shitjen e Dinamos/ Anulohet në momentin e fundit kalimi i pronësisë së klubit

21/02/2020 15:24

Klubi Dinamo tashmë prej vitesh militon në kategoritë inferiore dhe marrëveshja në tetorin e shkuar të drejtuesve të vjetër, Besnik Dulaj dhe një grupi investitorësh italianë ishte si një dritë në fund të tunelit për blutë e kryeqytetit.

Që prej kësaj periudhe Dinamo drejtohej nga Marco Pontrelli, i cili është kandidat për president nga grupi i investitorëve italian dhe ashtu siç thotë vetë në 24 shkurt pritej mbyllja e marrëveshjes dhe kalimi i klubit në emër të italianëve. Por vetëm 24 orë më parë drejtuesit e vjetër kanë njoftuar një ndryshim plani, duke u përpjekur të marrin mbrapsht skuadrën dhe të prishin marrëveshjen me italianët. Për këtë arsye, Pontreli ka mbërritur sot në kryeqytet dhe në një intervistë për Top Channel sqaron.

“Jam disi i tronditur për lajmet e fundit sepse askush nuk më mori në telefon, gjithë çfarë ka ndodhur e lexova nga mediat dhe kjo nuk më duket diçka logjike 24 orë përpara një ndeshje shumë të rëndësishme që ka ka ekipi. E them këtë gjithmonë nëse mendojmë për ekipin sepse duhet t’i ndajmë gjërat, ekipi i futbollit ka nevojë për seriozitet dhe të bësh gjithë këtë nuk është aspak normale. Ne i jemi përgjigjur të gjitha detyrimeve, sepse nga tetori e menaxhojmë ne. Në aspektin teknik nuk di të them se morëm me 9 ndeshje 1 pikë dhe 1 gol, sot skuadra e rinovuar në janar me 14 lojtar dhe ka marrë 14 pikë. Diferencën e bëni vetë, skuadra është e ndërtuar me mend dhe nuk ka probleme për të qëndruar në kategori”, shprehet  Marco Pontrelli, përfaqësues i grupit italian që administrojnë Dinamon.

Sot Dinamo është në kategorinë e parë në vendin e fundit duke mos llogaritur Shkumbinin e dënuar, ndërkohë nesër luan përballë vendit të dytë të klasifikimit të Besëlidhjes.

“Dinamo ka nevojë të qëndrojë i qetë pasi nesër ka një ndeshje të rëndësishme, pjesa tjetër është diçka e imja me të palën tjetër që kemi bërë marrëveshjen. Sot pasdite kemi një tjetër takim ku besoj do të mbyllet gjithçka”, përfundoi Marco Pontrelli.

 

Top Channel