Java e 23-të Superligës hapet me përballjen e madhe të vendit të parë dhe të dytë, praktikisht Kukësit dhe Tiranës në “Air Albania Stadium”.

Dy nga skuadrat me përbërjen më të shtrenjtë të kampionatit shqiptarë të projektuara për të garuar për titullin kampion, vijnë pas hapave fals nga fundjava e shkuar. Kukësi u barazua nga Bylisi në fundin e ndeshjes në Ballsh duke humbur dy pikë të rëndësishme që do t’i jepnin shansin të ishin më të qetë përball Tiranës.

“Ndeshja me Tiranën shumë e rëndësishme për ta fituar për aspektin psikologjik por nuk vendos kampionatin”, shprehet Shpëtim Duro.

Ndërkohë që bardheblutë mes vështirësive e polemikave barazuan në javën e shkuar me Skënderbeun në kryeqytet, megjithatë nën drejtimin e Emanuel Egbo Tirana po bën shumë mirë.

“Nëse japim maksimumin ashtu siç ne dimë atëherë do e fitojmë këtë ndeshje. Ka ndryshuar sjellja ekipit, humori ka më tepër harmoni, janë këta djem që arritën fitoret radhazi dhe kam besim tek ata”, thotë Emanuel Egbo.

“Ne e respektojmë Tiranën por nuk i trembemi”, tha Duro.

Ndërkohë që barazimi me korçarët ka sjell menjëherë reagimin e presidentit Halili tek Tirana ndaj trajnerit Egbo, i cili ka sqaruar gjithçka ndodhi pas ndeshjes me Skënderbeun.

“Presidenti ka folur me gjaknxehtësi. Nuk ishte i qetë dhe unë e kuptoj. Kemi folur sëbashku dhe nuk kemi asnjë problem gjithçka është mirë në marrëdhënien tonë dhe unë nuk ndjej aspak presion”, shton Emanuel Egbo.

Top Channel