Ashtu siç kishte paralajmëruar kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, vendimet e qeverisë së mëparshme Haradinaj, po rishikohen.

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka anuluar procesin e noterisë të mbajtur në prill të vitit të kaluar, nga qeveria Haradinaj. Haxhiu tha në një konferencë për shtyp se procesi nuk ishte ligjor, transparent dhe objektiv.

“Unë si ministre e Drejtësisë nuk mund të shtyj përpara një proces i cili është përcjell me parregullsi dhe humbje të besimit, nuk mund të shtyj përpara një proces nga i cili shumica dërrmuese e kandidatëve të cilët kanë kaluar provimin e noterisë janë militant partie, anëtar apo miq të anëtarëve të Komisionit të provimit të noterisë”.

Sipas Haxhiut, ky proces tashmë po hetohet edhe nga prokuroria. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar ndaj të njëjtit proces në tetor të vitit 2019, duke i bërë thirrje qeverisë në largim që të përmbahet nga emërimi i ndonjë noteri publik, dhe procesi t’i lihet qeverisë së re. Ministrja Haxhiu sqaroi se një konkurs i ri do të shpallet më vonë. Ajo njoftoi se ka anuluar edhe vendimin për emërimin e Komisionit për Përzgjedhjen e Noterëve, si dhe të anëtarëve të Komisionit të Provimit të Noterisë.

Në anën tjetër, ministri i punëve të jashtme në qeverinë e Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se janë shfuqizuar vendimet për konsuj diplomatikë. Në “facebook” ai ka shkruar se vendimet për emërime të konsujve kanë qenë në kundërshtim me ligjin. Veç kësaj, ai ka bërë të ditur edhe emrat e 14 personave, të angazhuar si konsuj në ambasada e konsullata të ndryshme të Kosovës në botë, që preken nga vendimi i ri. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme, Kosova ka 31 konsullata në botë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA