Konfirmohet se policja që kreu vrasje të shumëfishtë kishte probleme shëndetësore

19/02/2020 17:15

Policia e Kosovës ka njoftuar se policja V.B, që vrau katër anëtarë të familjes së saj dhe më pas kryeu vetëvrasje, kishte probleme shëndetësore.

Incidenti ndodhi më 18 shkurt në Gjilan.

Sipas policisë, pas rekomandimit të psikologut të Policisë së Kosovës, polices V.B i ishte marrë arma zyrtare dhe i ishte caktuar një punë më e lehtë.

“Ky vendim është rikonfirmuar më pas edhe nga klinika përkatëse pas kontrolleve shëndetësore psikologjike të mbajtura me 16.10.2019. Për shkaqe shëndetësore e njëjta ka qenë me detyra të lehtësuara kryesisht me punë administrative, ku bazuar në rekomandimet dhe procedurat e parapara të njëjtës i ishte marrë arma zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia njofton se V.B, kishte kaluar nëpër disa seanca këshilluese.

“Në kuadër të Policisë, zyrtarja është trajtuar në 14 seanca të ndryshme dëgjimore dhe këshilluese nga viti 2016 deri në fund të vitit 2019, gjersa në klinikën e kontraktuar nga Policia, ajo ka mbajtur 6 seanca, ku i është caktuar diagnoza përkatëse dhe i është caktuar terapia adekuate nga komisioni mjekësor përkatës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në fund të vitit 2019, ishte rekomanduar, që policja tashmë e ndjerë, të lirohej nga bartja e uniformës, përfshirë edhe armën zyrtare për shkak të gjendjes së saj psikologjike.

“Arma e saj ka qenë duke u ruajtur në stacionin policor ku zyrtarja ka shërbyer. Mënyra si ajo ka ardhur deri tek arma është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës”, njofton Policia e Kosovës.

Deri me tani, policia thotë se ka intervistuar 20 persona.

Për vrasjen e pesëfisht në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e katër punonjësve të Policisë së Kosovës. Përmes një komunikate drejtuar mediave, IPK njofton se ka rekomanduar suspendimin e komandantit të stacionit policor, zëvendëskomandantin policor dhe shefin e operativës së stacionit policor në Gjilan.

“Bazuar në këto veprime hetimore dhe pas konsultave me Prokurorinë Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës pas grumbullimit të informacioneve dhe hetimit paraprak në stacionin Policor Gjilan i ka rekomanduar, sot Policisë së Kosovës suspendimin e katër punonjësve të PK-së lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Sipas komunikatës së Inspektoratit Policor të Kosovës, rekomandimi për suspendimin e zyrtarëve policor është bërë në interes të zhvillimit të hetimeve dhe se të njëjtit janë duke u hetuar nga IPK me dyshimin së kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA