Dëshmia e rrallë ish-kryetarit të Degës: Si i copëtuam me granata dy djemtë në Shkodër

18/02/2020 09:10

Publikohen historinë e panjohur të ndodhura në qytetin e Shkodrës më 23 janar të vitit 1983, kur dy  të rinj, Fatmir Gusha dhe Sali Breshni, pasi kishin rrëmbyer tre armë automatike “Kallashnikov”, dhe disa karikatorë, në një nga repartet që ndodhej në fshatin Shtoj, u nisën drejt qytetit të pashqetësuar nga njeri deri tek Dega Ushtarake, ku pasi u diktuan dhe u konfliktuan me një oficer, filluan të qëllonin në ajër  në shenjë presioni.

Largimi i tyre, për të shkuar tek Dega e Brendëshme, u pikas nga forcat e policisë  dhe u detyruan të qëndronin tek një rrugicë pas  Instituti Pedagogjik, “Luigj Gurakuqi”, ku  hynë dhe u ngujuan tek shtëpia e familjes Hysej, ku u rrethuan nga forca të shumta të Policisë së Shkodrës dhe Divizonit Ushtarak, si dhe Forcave Speciale (Reparti 326) të ardhura nga Tirana.

E gjitha ngjarja, sipas dëshmisë së rrallë të ish-Kryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme të qytetit të Shkodrës, Përparim Xhoxhaj,  publikohet për herë të parë nga Memorie.al, pasi që nga mbrëmja e 23 janarit 1983 e deri më sot, gjithçka ka mbetur në heshtje duke e mbuluar me mister  atë ngjarje që tronditi jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe udhëheqjen e lartë në Tiranë, pasi Ramiz Alia dërgoi urgjent në Shkodër ministrin e Punëve të Brendëshme, Hekuran Isai, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi dhe gjithë natën që u mbajtën të rrethuar  dhe deri në mëngjes, kur dhe u eliminuan fizikisht, duke i shëmbur shtëpinë me një tank dhe duke i qëlluar me granata, Ramizi ishte në kontakte me ta, duke dhënë urdhëra, mendime dhe sugjerime.

Kush ishte Fatmir Gusha që në qytetin e Shkodrës njihej edhe me nofkën, “Caf Susta”, dhe Sali Breshni, çfarë problemesh kishin ata dhe familjet e tyre me regjimin komunist në fuqi dhe cili ishte qëllimi i tyre pas marrjes së armëve në repart dhe përse ata nuk pranuan të dorëzohehsin edhe pasi forcat e policisë dhe personalisht, Drejtori i Përgjithshëm Kasem Kaçi, dërgoi djalin 13 vjeçar të Fatmirit, që e mësonin oficerët e Degës, i bënte thirrje të jatit, që të dozohej…?!

Dëshmita e Përparim Xhoxhaj, dhe familjes Gusha, Mit’hati, (vëllai i Fatmirit), Bardhit djalit të Fatmirit, që  u morr peng nga policia për “negociata”, me të jatin, si dhe disa shokëve  të “Caf Sustës”, me rrëfimet e tyre për herë të parë hedhin dritë mbi këtë ngjarje, për 37 vite eshtrat e tyre  nuk janë gjetur ende edhe pse familjarët s’kanë reshtur së kërkuari?!

Ishte mbrëmja e 23 janarit e vitit 1983, kur qetësinë në qytetin e Shkodrës, e prishën disa krisma armësh dhe  sirenat e automjeteve të policisë të cilat drejtoheshin për nga qëndra e qytetit,  në zonën afër Institutit Pedagogjik “Luigj Gurakuqi”. Këto, shkaktuan një panik dhe frikë  në të gjithë qytetin, ku thuhej se: “një bandë e armatosur kishte ardhur nga Jugosllavia, duke vajtur deri në qëndër të qytetit pa u kuptuar nga njeri, aty ishin rrethuar nga forcat e policisë, ushtrisë dhe Forcat Speciale nga Tirana, që po luftonin kundra tyre dhe ata nuk dorzoheshin”?!

Të gjitha këto, si dhe versione  nga më të ndryshmet lidhur me atë që po ndodhte atë mbrëmje të 23 janarit të vitit 1983 në qytetin e Shkodrës, do të vazhdonin të “bluheshin” paralel me atë që po ndodhte realisht aty pas Institutit Pedagogjik te shtëpia e Hysej-ve, e vërteta do të merrej vesh vetëm në mengjezin e datës 24 janar, pak pasi armët kishin pushuar dhe sirenat e policisë nuk po dëgjoheshin më.

Atë mëngjes në të gjithë Shkodërn u hap lajmi se dy personat që ishin ngujura në shtëpinë e Hysej-ve kishin luftuar gjithë natën kundra forcave të policisë dhe atyre të ushtrisë që i mbanin të rrethuar, kishin qenë Fatmir Gusha, (i njohur ndryshe me nofkën Caf Susta) dhe Sali Breshni, një shok i tij.  Pasi nuk pranuan të dorzoheshin, u eliminuan fizikisht duke u qëlluar me granata dhe një tank i vogël i Divizionit të Shkodrës, ua prishi shtëpinë duke i zënë brenda ata.

Lidhur me këtë ngjarje të ndodhur 37 vite më parë në qytetin e Shkodrës, e cila u mbajt e fshehtë nga regjimi komunist  dhe  nuk është bërë kurrë publike Memoria.al  publikon pjesën e parë të intervistës me ish-Kryetrarin e Degës së Punëve të Brendëshme të Shkodrës, z. Përparim Xhoxhaj, të cilën ai na e ka dhënë para pak vitesh.

Zoti Xhoxhaj, si e kujtoni ngjarjen e 23 janarit të vitit 1983 dhe a i kishit njohur më parë dy të rinjtë shkodranë, Fatmir Gusha (i njohur ndryshe se Caf Susta) dhe Sali Breshnin?

Të ndjerin Fatmir Gusha apo siç është njohur ndryshe si Caf Susta, e kam njohur për herë të parë tre – katër ditë para asaj ngjarje ku ai mbeti i vrarë. Kurse atë tjetrin, shokun e tij, Sali Breshnin, nuk e njihja fare.

Konkretisht në ç’rrethana e njihnit, Fatmirin…?

Unë si Kryetar Dege, bëja pritje populli çdo të hënë, kur kishte persona që kishin ndonjë hall apo problem të ngutshëm, i takoja dhe i prisja në zyrë në çdo kohë. Një nga këto pritje jashtë ditës së zakonshme, ishte dhe ajo që i bëra Fatmirit dhe bashkëshortes së tij në zyrën time. Ata kërkuan takim dhe unë i prita. Në fakt, Cafi siç e thërrisnin për shkurt, ishte divorcuar nga bashkshortja, gjë e cila ishte bërë false, me qëllim që ajo me fëmijët të mos vuante masën e dënimit me internim, që i ishte dhënë Cafit me vendim gjykate për problemet që ai kishte, dënim të cilin ai e vuante në fshatin Hajmel të Shkodrës.

Konkretisht për çfarë ishte dënuar Cafi me internim?

Nuk e mbaj mënd mirë, pasi ai ishte dënuar disa herë për krime të hapura siç i quanim ne në terma profesionale, kurse në zhargonin popullor, quheshin si “krime ordinere”. Në mos gaboj, Fatmiri kishte kundërshtuar organet e policisë apo ishte konfrontuar fizikisht me ta duke mbrojtur një person tjetër, shok të tij ndoshta, të cilin donin ta arrestonin forcat e policisë pas një prishje rendi në një nga lolaket më të njohura të qytetit të shkodrës. Nuk e kujtoj mire me detaje, por në thelb kjo ishte një nga ngjarjet që ishte bërë shkas për dënimin dhe internimin Fatmirit.

Si vijoi takimi juaj me Cafin dhe gruan e tij?

Cafi rrinte pak më prapa gruas së tij dhe e shikoja që dridhej i tëri, ishte jashtë mase i ngarkuar nga ana psikollogjike dhe mllefi tij dallohej qartë, por nuk fliste fare. Unë mendova se ai; ishte i dehur, me një fjalë dukej i papërqëndruar dhe pak si depresiv. Gruaja e tij, e cila ka qënë një grua shumë e mirë, më tha: “Shoku kryetar, nëse ka mundësi, burrit tim i ka mbetur edhe një vit për të vuajtur internimin, prandaj po mundët t’ja falni pjesën e mbetur dhe ai të kthehet në shtëpi, pasi kemi halle dhe tre fëmijë për të rritur”.

Si iu përgjigjët ju kërkesës së saj?

Unë i thashë se: sipas ligjeve në fuqi, nuk ishte në kopetencën time falja e dënimit, dhe menjëherë në prani të tyre u lidha direkt në telefon, me personin që mbulonte zbatimin e ligjishmërisë (Adil quhej, mbiemri nuk më kujtohet), i cili më tha se ajo mund të bëhej vetëm me vendim gjykate. Pas kësaj unë mora në telefon Kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Mërgim Dragushën dhe i thashë po të njëjtat fjalë. Mergimi më tha se do ta shikonte atë problem. Pas kësaj, gruaja e Cafit me tha që t’ja shtyja ca ditë lejen që i ishte dhënë (Cafit) për t’u larguar nga vëndi i internimit, për arsye se ai kishte qënë në spital ku dhuronte gjak (merrte 3 mijë lekë të vjetra) dhe të rrinte pak ditë me fëmijët.

Po atë kërkesë të tyre, a ua plotësuat?

Unë u lidha përsëri në tel me personin që mbulonte ligjishmërinë (Adilin) dhe i thashë t’ja shtynte lejen. Ai më tha se kishte folur në telefon me mjekun S. A., dhe ai i kishte thënë që: Cafit i kishte dhënë letër shtrimi për në spitalin e Tiranës, dhe ai të lejohej të shkonte në Tiranë për t’u shtruar. Unë i thashë që t’i shtyhej leja nga vëndi i internimit duke dalë unë garant me firmën time dhe pasi të kthehej nga spitali, Cafi të paraqitej tek ne në Degë. Pas kësaj, Cafi me gruan mbetën shumë të kënaqur dhe më falenderuan shumë të dy. Kështu u ndava me ta, në mos gaboj ka qënë ditë e enjte dhe pas tre ditësh, ndoshta e shtunë duke u gdhirë e dielë, ndodhi ngjarja ku ai me shokun e tij, Sali Breshni mbetën të vrarë.

Si e kujton atë ngjarje?

Atë pasdite,  nga ora 18 e 30 në mos gaboj, unë isha duke shkuar në zyrën time në Degën e Brëndëshme bashkë me Qemal Lamën, shefin e Hetuesisë së Republikës, i cili kishte ardhur nga Tirana të ndiqte një problem pune të linjës së tij. Sapo u futa në zyrë ra telefoni dhe e kapa unë menjëherë. Një zë burri shumë i tronditur (të cilin se mësova kurrë se kush ishte) më tha: “Ç’farë bëni ju të Degës, këtu po vriten njerëz”?! Ku, e pyeta unë?! “Këtu, pas Institutit”, më shpjegoi ai. Menjëherë unë dola në dritare dhe dëgjova të shtëna armësh automatike me breshëri të zgjatura.

Çfarë bëtë pas asaj që dëgjuat?

E lashë Qemalin në zyrë dhe zbrita poshtë, duke u nisur menjëherë tek vëndi i ngjarjes, ku para meje kishin mbërritur 6 a 7 policë, të cilët kishin vajtur aty me vetëiniciativë, pasi kishin dëgjuar të shtënat. Personat që qëllonin, ishin futur forcërisht në një shtëpi pas godinës së Fakultetit (Universitetit të sotëm) ku banonte familja Hysaj (i zoti i shtëpisë quhej Agim Hysaj) dhe nga dritaret e asaj shtëpie, qëllonin papushim.

 Çfarë po ndodhte konkretisht aty dhe si komentohej ajo ngjarje  në popullin e Shkodrës?

Përveç krismave dhe breshërive të armëve që dëgjoheshin dhe shikoheshin qartë, fillimisht asgjë nuk dihej më shumë dhe nisur nga kjo, ngjarja që po ndodhte komentohej dhe interpretohej nga mënyrat më të ndryshme. Por ajo që dominonte nga të gjitha versionet apo më saktë hamëndjet që qarkullonin në të gjithë qytetin, ishtet ajo që: “Disa persona të armatosur të ardhur nga Jugosllavia, janë futur në një shtëpi dhe po luftojnë me forcat e policisë, të ushtrisë dhe ato vullnetare rezerviste, që i kanë rrethuar nga të katër anët”. Veç këtyre fjalëve dhe hamëndjeve që qarkullonin, ngjarja bëhej më tragjike dhe paniku rritej, kur u mësua lajmi se kishin mbetur të vrarë dhe dy persona.

Kush ishin ata dhe në ç’rrethana kishin mbetur të vrarë?!

Njëri ishte një i moshuar, Sul Dashi quhej, për të cilin u tha se u vra nga të shtënat qorre para derës së shtëpisë së tij dhe një djalë i vogël, 13 vjeç, i cili vdiq pak kohë më pas në spital nga plaga e plumbit.

Kur e mësuat ju se ata që ishin të rrethuar aty dhe qëllonin, ishin Fatmir Gusha dhe Sali Breshni?

Aty e mësuam në vendngjarje, pasi Cafi me Saliun, përpara se të hynin aty, kishin hyrë në një shtëpi tjetër më përpara, më saktë të shtëpia e Kolec Thanit, (vëllait të aktores së njohur, Tinka Kurtit), ku kishte pasur një darkë familjare dhe kishte edhe persona të tjerë të ftuar. Pasi kishin qëndruar pak tek shtëpia e Kolec Thanit, ata ishin larguar  andej dhe  kishin dalë në rrugë, nga frika e përballjes me policinë, ishin detyruar të futeshin tek shtëpia e Hysajve.

Dihej nga ana juaj se sa persona ishin?

Fillimisht ne e dinim se janë tre persona në atë shtëpi, pasi nga reparti ushtarak ku ata kishin marrë armët, na u raportua se mungonin tre armë “kallashnikov” dhe 37 karikatorë me fishekë.

Ku i kishin marrë armët Cafi me Saliun në cilin repart ushtarak dhe si u mësua nga policia?

Armët ata i kishin marrë në një repart të Zbulimit, që ndodhej në fshatin Shtoj të Shkodrës, ku kohë më parë kishte kryer disa muaj shërbimin ushtarak, Sali Breshni, I cili nuk e kishte mbaruar ende shërbimin ushtarak, pasi ishte dënuar për ikje pa leje. Ai duke e njohur mirë atë repart, kishte mundur të futej aty bashkë me Cafin, pikërisht atë pasdite kur oficeri roje kishte ikur në shtëpi, nënoficeri ishte larguar dhe pas tyre pothuaj të gjithë ushtarët ishin larguar. Dhe duke përfituar nga kjo situatë Cafi me Saliun kishin marrë tre armë kallashnikov dhe 37 karikatorë me fishekë, të cilat i kishin futur në këllëf jasteku të ushtarëve.

Po pasi arritën të merrnin armët dhe karikatorët me fishekë, nga kanë lëvizur ata?

Pas kësaj, krejt të qetë ata kanë ardhur në drejtim të qytetit të Shkodrës deri tek Dega Ushtarake, ku dhe janë kuptuar se kanë qenë të armatosur dhe filluan të qëllojnë me breshëri në ajër. (Këto gjëra ne i mësuam më vonë, në analizat që bëmë në Degë).

Si u kuptuan ata, pra kush i konstatoi se ishin të armatosur?

I pari që i ka parë ata të dy të armatosur, ka qënë gruaja e një oficeri, të cilët banonin tek pallati përpara Degës Ushtarake.

Konkretisht si…?

Ata të dy, (burrë e grua), ishin nisur të shkonin në një vizitë familjare dhe gruaja ndërsa po priste para pallatit të shoqin të zbriste, ngjiti shkallët e trembur duke i thënë se aty poshtë ishin dy persona të armatosur. Oficeri i tha të shoqes se duhet të ishin të Degës Ushtarake, por ajo i tha se nuk dukeshin të tillë, pasi ishin të çoroditur.

Si kishte vepruar oficeri pas asaj?

Ndërkaq oficeri doli në dritaren e shtëpisë dhe u foli atyre: “Ore,… ça jeni ju, dhe ç’kërkoni aty?!” Ata e ofenduan apo e kërcënuan oficerin, duke i thënë të futej brënda, ndryshe do ta vrisnin dhe aty për aty kanë qëlluar me armë në ajër me breshëri. Pra, këtu janë kuptuar ata fillimisht, apo më saktë këtu kanë nisur ata  të qëllonin në ajër,  këtë ata e kanë bërë gjatë gjithë rrugës deri tek shtëpia e Hysajve, prapa Insitutit, rrugë e cila është diku tek 600-700 metra.

Kthehemi tek ngjarja që po ndodhte, pra tek shtëpia ku ata ishin të rrethuar, a u vu në dijeni Tirana për çfarë po ndodhte aty dhe si vijoi ngjarja?

Patjetër, punë minutash u bë lajmërimi në Tiranën dhe unë si kryetar i Degës që drejtoja operacionin për kapjen e tyre, kam komunikuar disa herë në telefon si me Ramiz Aline, ashtu dhe me Ministrin e Brëndshëm, Hekuran Isain, i cili u nis menjëherë nga Tirana dhe erdhi e u vendos të Shtëpia e Pritjes në Velipojë.

Ç’farë ju thoshin ata dhe përse Hekuran Isai qëndroi në Velipojë dhe nuk erdhi aty në vend-ngjarje?

Ramizi që në atë kohë ishte Kryetar i Kuvëndit Popullor, pyeste rreth ngjarjes dhe po ashtu edhe Hekurani, por udhëzime nuk mund të jepnin, se gjithçka varej nga situatat që ndodhin aty. Pse qëndroi Hekurani në Velipojë, këtë nuk mund ta them me saktësi, pasi ashtu e ka menduar ai, por aty në vëndngjarje erdhi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi, i cili qëndroi bashkë me mua gjatë gjithë natës dhe deri në mëngjes duke drejtuar operacionin. Pra si të thuash, nga detyra që kishte Kasemi, ishte ai që më komandonte edhe mua.

A ishte normale në një ngjarje të tillë, kur ishte alarmuar udhëheqja e lartë, si p.sh. Ramiz Alia siç thatë dhe ju që komunikonit me të, Ministri i Punëve të Brendëshme të qëndronte në Velipojë…?! Apo kishte frikë të vinte aty nga që thuhej se kishin ardhur nga Jugosllavia…?!

Të jemi të sinqertë, normale nuk mund ta quajmë atë gjë, por unë po ju tregoj dinamikën e ngjarjes se si ka ndodhur, se po të hymë në analiza, si dhe pse u veprua ashtu, apo kështu, ndodhi, nuk mbarojmë kurrë bisedën…?!

Kthehemi tek ngjarja. Thatë se Drejtori i Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi, ishte ai që drejtonte Operacionin dhe jo ju?!  Apo ana ligjore, pra a ishte e përcaktuar kjo se kush duhet të drejtonte operacionin në një ngjarje të tillë?

Nuk mund t’u them me saktësi këta se çfarë parashikonte ligji dhe rregulloret tona, por unë isha vartës i tij, pra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe normalisht duhet të zbatoja urdhërat dhe porositë e tij, aq më shumë kur thashë se ai lidhej e merrte urdhëra nga ministri Hekuran Isai dhe Ramiz Alia në Tiranë.

Po forca të tjera përveç atyre të policisë që kishit ju në Degën e Brëndëshme, dhe kuadro të tjerë të lartë, a ju erdhën në ndihmë apo përforcim?

Po, erdhën disa persona nga Tirana që shoqëronin Kasem Kaçin, dhe përveç tyre, aty erdhën edhe forcat special efektivë të Repartit 326, apo siç njiheshin ndryshe si sampistët, pasi ai repart ishte krijuar për të tilla ngjarje, edhe pse ato ishin të rralla, për të mos thënë fare. Para se të vinin ato forca speciale nga Tirana, pas alarmit që u dha për të gjithë rrethin e Shkodrës, aty erdhën dhe disa forca ushtarake dhe vullnetare (rezerviste) të Divizionit të Shkodrës, të cilat ishin nën komandën e Komandantit (Llukan Garo) dhe Komisarit (Dedë Gjergji), të atij Divizioni, të cilët rrinin në zyrën time në Degën e Brëndëshme.

Sa ishte numri i atyre forcave dhe kush i komandonte?

Nuk e di as sot sa ishte numri i atyre forcave pasi ajo gjë përbënte sekret ushtarak dhe as guxonte njeri të pyeste pasi arrestohesh menjëherë, kushdo të ishe. Ndërsa të gjitha ato forca, në çdo veprim që bëhej aty, ishin nën komandën time, pasi unë drejtoja operacionin direkt në vëndngjarje dhe nga Dega e Brëndëshme, duke bërë ecejake (Degë – vëndngjarje) me dhjetra herë. Ndërsa unë siç ju thashë, komandohesha dhe veproja nën urdhërat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kasem Kaçit, i cili realisht drejtonte operacionin./memorie.al/

FOTO GALERI
1/22

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA