Mes dy skuadrave që zihen shpesh përfiton një e tretë dhe në rastin e titullit kampion në futbollin italian, tifozët e Lacios shpresojnë se do të jetë vërtet kështu.
Formacioni roman që është rikonfirmuar një prej surprizave më të bukura sezonale tani beson vërtet te froni i Serisë A, dhe suksesi ndaj Interit në stadiumin Olimpiko, e vendos në një pozicion të favorshëm.
Momenti pozitiv zgjat prej thuajse një faze të tërë dhe humbja e fundit e armatës së Simone Inxagit i përket ndeshjes së parë si për ironi të fatit kundër Inter. Te Lacio po fillojnë të ndjejnë presionin por tifozët dhe futbollistët, e madje edhe drejtori sportiv Igli Tare, sigurojnë se ekipi nuk vuan nga lartësitë e mëdha.
Ciro Imobile është shënuesi më i mirë i serisë A dhe i ligave kryesore europiane me 26 rrjeta në 24 ndeshje, kjo edhe falë 10 penalltive të transformuara. Lacio endet më shumë se çdo ekip në zonat rivale dhe për këtë ka plot 14 penallti në favor, diçka e cila nuk ndodhte prej një dekade e gjysmë.
Skuadra bardhekaltër duket një formacion që nuk lëshon edhe kur është në disavantazh e përmbysjet si ajo ndaj Interit e kanë rikonfirmuar. Stadiumet janë thuajse plot në çdo ndeshje dhe titulli nuk është më ai mirazh, që dukej kur Inxagi diskutonte pankinën në vjeshtë.
Top Channel