Udhëheqësit politikë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor këtë të diel pritet të takohen në Bruksel.
Ka qenë Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel i cili disa ditë më parë vendosi datën 16 shkurt për tu mbledhur në një takim joformal me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës të BE-së. Po ashtu në këtë takim priten të jenë edhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, si dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Joseph Borrell.
Takimi, që do të zhvillohet në formën e darkës së punës, është thirrur në kuadër të përgatitjeve për samitin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 6 maj në Zagreb.
Kujtojmë se ky takim vjen vetëm pak orë para konferencës së donatorëve (e hënë 17 shkurt, 2020) që do të mbahet në Bruksel për të dhuruar fonde për fazën e rindërtimit në Shqipëri pas dëmeve që la pas tërmeti i 26-nëntorit.
Kujtojmë se edhe vetë kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur optimist për sa i përket kësaj konference. Ai ka thënë se shpreson që në këtë konferencë të mblidhet një shumë e përafërt me dëmet që la pas tërmeti.
Top Channel