Rastet e koronavirusit nuk po rriten në mënyrë dramatike jashtë kinës pavarësisht një rritjeje në provincën Hubei – tha organizata botërore e shëndetësisë.
I vetmi përjashtim është anija krocerë e ankoruar në Japoni, ku 44 raste të reja janë raportuar, çka e çon totalin atje në 218. Nuk ka patur ndonjë ndryshim të madh në ecurinë e koronavirusit, numrin e viktimave apo ashpërsinë e tij sipas OBSH.
Shifrat më të fundit tregojnë për 121 viktima të reja në kinë, çka e çon totalin në 1380. Ndërsa numri i infektimeve të reja është rritur me 5090 duke shkuar në 63 851 raste gjithsej, sipas komisionit shëndetësor kombëtar. Zyrtarët e shëndetësisë thanë se gjashtë mjekë janë mes viktimave dhe se 1716 punonjës të sektorit po ashtu janë prekur. Vetëm në provincën Hubet, të enjten, u regjistruan 116 viktima të reja dhe 4823 raste. Kjo ishte një rritje më e vogël krahasuar me një ditë më parë kur edhe u arrit kulmi me 240 viktima të reja dhe thuajse 15 mijë raste. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e rasteve u regjistrua pasi në Hubei u përdor një mënyrë e re e përcaktimit të diagnozës. Jashtë kinës ka patur vetëm dy viktima dhe 447 raste në 24 shtete.
Të enjten, Japonia konfirmoi viktimën e saj të parë të koronavirusit, një grua rreth të 80-tave. Diagnoza e gruas u konfirmua pas vdekjes dhe ajo nuk kishte patur asnjë lidhje të dukshme me provincën Hubei. Departamenti amerikan i shtetit ndërkohë ka shprehur shqetësimin për pasojat e mundshme të një shpërthimi në Korenë e veriut, që deri më tani nuk ka raportuar raste.
Top Channel