Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit u shfaq filmi shqiptar “Delegacioni”.

Me regji të Bujar Alimanit, skenar të Artan Minarollit dhe një trupë të mrekullueshme aktorësh, filmi solli në vëmendje gjendjen e vendit në vitin 1990, kur era e ndryshimeve politike frynte e fortë mbi Shqipëri. Përmes historisë së një të burgosuri politik dhe përfaqësuesve të regjimit komunist, filmi që u soll në Durrës nga Shtëpia e Evropës dhe Këndi i BE-së, përcolli një vëzhgim të ndjeshëm dhe sarkastik të luftës për mbajtjen e pushtetit në fillim të viteve ’90.

“Filmi në pamje të parë ishte i trishtë, po kishte shumë mesazh brenda. Kishte kohë që pritej në qytetin e Durrësit. Spektatorët e ndoqën. Panë diçka tjetër dhe që mundohet t’i kthejë jetën qytetit.”

“Film jashtëzakonisht i bukur. Aktorët më të mirët që kemi. Pak i trishtë, po jeta reale që kanë bërë shqiptarët në ato vite.”

Shfaqja e këtij filmi në skenën e teatrit të Durrësit, riktheu vëmendjen te mungesa e kinemasë në qytetin më të madh të vendit, pas Tiranës.

Mungon jashtëzakonisht shumë. Megjithëse kemi Tiranën afër, Durrësi ka nevojë.

Edhe për të mirënjohurën, aktoren e madhe të estradës shqiptare Aishe Stari mungesa e kinemasë në qytet është e ndjeshme dhe pse shpresa për të duket e humbur.

“Shyqyr që ishte një film që e pashë në qytetin tim dhe për fat e pashë në teatër. Më erdhi mirë që pashë një film të fundit që ka xhiruar Xhoda, që i ndenji shumë konseguent linjës së vet. Qe shumë i natyrshëm, po medet që nuk e patëm gjatë mes nesh. Uroj që të bëhemi me kinema në qytetin tonë. Njerëzit kanë nevojë të kalojnë kohën e lirë ndryshe, jo vetëm në kafe. Të shohin një film dhe mos të shkojnë gjithnjë në Tiranë për ta parë”.

Shfaqja në Durrës e filmit “Delegacioni”, pjesëmarrës në mjaft festival ndërkombëtare dhe fitues ccmimesh të ndryshme, qe dhe një moment nderimi dhe kujtimi për aktorin durrsak Xhevdet Ferri dhe kineastin Artan Minarolli, që nuk janë më.

Top Channel