Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, e ka pranuar se atij do t’i kishte pëlqyer të luante me yllin e Juventusit, Cristiano Ronaldon, mes spekulimeve për të ardhmen e tij në Camp Nou.
Ivan Rakitic ishte i përfolur për një transferim potencial në Juventusi ose Inter gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, përderisa ishte raportuar edhe për interesimin e Manchester Unitedit.
Të gjitha këto lajme vinin gjatë kohës sa thuhej se Rakitici do t’i ofrohej Paris Saint-Germainin si pjesë e një marrëveshjeje për kthimin e Neymarit në Camp Nou në fillim të këtij sezoni 2019/20.
Rakitic vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave për të ardhmen e tij në Barcelonë. Pasi thuhet se Juventusi është ende i interesuar për të, 31-vjeçari u pyet se do të dëshironte të luante me Cristiano Ronaldon.
“Natyrisht se do të më pëlqente. Ai është njëri ndër lojtarët më të mirë në histori. Gjithkush kënaqet duke e shikuar atë duke luajtur dhe ai është duke bërë punë shumë të mirë në Juventus”, ka thënë Rakitic.
Rakitic është për momentin bashkëlojtar me kapitenin e Barcelonës dhe gjashtë-herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messin, për të cilin thotë se është më i miri i të gjitha kohëve.
“Është e mrekullueshme të luash me të – ai është i veçantë. Ka pasur lojtarë të mrekullueshëm në çdo epokë, por unë jam i sigurt se ai ka qenë më i mirë në 15 vjetët e fundit”, shtoi Rakitici.
“Sipas mendimit tim, mendoj se ai është më i miri i të gjitha kohëve. Të luaj me të për gjashtë vjet ka qenë e mrekullueshme”.
Top Channel