Drejtori i Programit të Emergjencave Shëndetësore për Ballkanin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, deklaroi gjatë vizitës në Tiranë së OBSH do të ofrojë ndihmë teknike dhe mbështetje për mjetet mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme.
“Shqipëria ka ndërmarrë masa të cilat ne si Zyrë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i mbështesim plotësisht, pavarësisht se vendi juaj nuk ka asnjë rast të koronavirusit COVID-19 dhe rreziku është i ulët”.
Drejtori i Programit të Emergjencave Shëndetësore për Ballkanin, në OBSH, z. Abebayehu Mengustu mbështeti hapat e ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë vizitës në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku ndoqi nga afër masat e marra në nivelin e parë të shërbimit.
“Zyra e OBSH do të japë mbështetje teknike për të gjitha vendet e Ballkanit dhe mbështetje sa i takon mjeteve mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme”, tha z. Mengustu.
Ndër masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë është trajnimi deri tani i 475 punonjësve të sistemit shëndetësor dhe vijon trajnimi kaskadë nga ekipet e urgjencës kombëtare, epidemiologët në të gjithë vendin. Janë menaxhuar në kohë reale nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT, 6 raste me historik udhëtimi në Kinë, të cilët janë testuar nga Laboratori i virologjisë në ISHP dhe asnjë prej tyre nuk rezultoi me koronavirus, ndërkohë prej tyre kanë rezultuar vetëm 2 raste me grip.
Mbështetur në survejancën e ngritur në pikat kufitare tëtë gjitha niveleve është kryer vlerësim i 180 shtetasve të cilët kanë hyrë në Shqipëri nga momenti i vendosjes në ALERT dhe kanë pasur histori udhëtimi me Kinën, nga të cilët vetëm 88 persona janë vlerësuar nga Aeroporti i Rinasit dhe asnjë nga këta udhëtarë nuk ka paraqitur shenja klinike të koronavirusit të ri në momentin e vlerësimit në nivel kufitar.
Shqipëria ka kapacitetet dhe është e përgatitur për një situate të mundshme të prekjes nga koronavirusi i ri dhe kjo është vlerësuar edhe në raportin e fundit mbi Indeksin Global të Sigurisë Shëndetësore i publikuar nga The Economist: Shqipëria renditet në vendin e 39 për sigurinë shëndetësore, ndër 195 vende të vlerësuara. Ndërsa sa i takon specifikave, si zbulimit të hershëm dhe reagimit të shpejtë ndaj epidemive, në një situatë ku të gjitha vendet janë të angazhuara me masat per koronavirusin e ri, Shqipëria është renditur në vendin e 25 duke lënë pas vende si Austria, Kroacia, etj.
Top Channel