Rama në banesën e re të familjes Cuka: Të hënën presim donacionet nga Konferenca në Bruksel, kam ndjesi të mirë

13/02/2020 19:45

Kryeministri i vendit, Edi Rama mbrëmjen e sotme ishte i pranishëm në banesën e re të familjes Cuka nga Thumana që në tërmetin e rëndë të 26 nëntor humbi dy prej anëtarëve të saj si dhe banesën e tyre.

Kryeministri Rama gjatë takimit me familjarët ka thënë se: Me përpjekjen për të shëruar plagët e dhimbjes, ne i lehtësuam kësaj familjeje barrën financiare të jetesës dhe sistemimin në shtëpi të re në kryeqytet”

Ndërkohë kryeministri ka shtuar se të hënën mbahet Konferenca e Donatorëve në Bruksel dhe aty sipas Ramës ka shpresa që të merren ndihma të mëdha monetare që më pas do të vihen në zbatim për fazën e rindërtimit në Shqipëri.

“Kemi këtë konferencën të hënën, të shohim se carë do të marrim, nuk është se presim të mbyllen të gjitha, por kemi punuar me kontakte me udhëtime, me takime edhe kemi një ndjesi të mirë, që nuk do të jetë diçka thjesht simbolike apo shumë nën nën pritshmëritë. Pritshëmria ime është që të kemi një mbështetje që të na japë mundësinë që bashkë me fondet që kemi vendosur vetë dhe nga dy ide të tjera që do i vendosim në lëvizje pas pak ta plotësojmë nevojën edhe ta shfrytëzojmë këtë moment, këtë plagë për ta bërë shumë më mirë dhe të fortë organizimin më pas. Ata që ikën nuk i kthejmë dot, por ata që u goditën t’u japim mundësi të hyjnë në një jetë të re dhe të gjithë do të kenë banesa më të mirë se ata që kishin. Kjo është sfida”, deklaroi Rama.

Kryeministri i ka dhuruar edhe një libër të Orhan Pamuk vajzës së familjes Cuka e cila tha se ishte e shkëlqyer në mësime.

Ndërkohë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh se edhe fëmijët e kësaj familje, shumë shpejt sikurse edhe fëmijët e tjerë të gjithë zonës Don Bosko do të kenë edhe dy shkolla të reja. Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se në këtë zonë kanë nisur dy nga 17 shkollat e reja , sikurse është shkolla “Vaçe Zela” 9-vjeçare dhe shkolla “Kristo Frashëri” ” gjimnaz. “Pas këtyre vilave janë dy shkollat e reja të projektit të 17 shkollave, shkolla “Vaçe Zela” 9-vjeçare dhe shkolla “Kristo Frashëri” gjimnaz. I gjithë pellgu i fundit i Don Boskos do mblidhet në 2 mega shkolla. Pra janë rreth 3000 nxënës, 1500 njëra dhe 1500 tjetra, kështu që edhe zgjidhet gjithë problematika e kësaj zone”, theksoi Veliaj.

Top Channel