Albin Kurti do të marrë pjesë ne Konferencën e sigurisë në Mynih, ku do të jenë të pranishëm edhe presidenti serb Aleksandar Vucic e ambasadori i SHBA-së, në Gjermani, njëkohësisht i dërguar i posacëm i Donal Trumpit për dialogun Prishtinë- Beograd, Richard Grenell.
Pjesëmarrjen e kryeministrit kosovar në konferencë e konfirmuan për Telegrafin burime nga zyra e tij. Konferenca do të mbahet nga data 14 deri në 16 shkurt, e do të mbledhë krerët e shteteve më të fuqishme europiane.
Vuçiç, që e pat pranuar disa kohë më parë për austriaken “Der Standard” se i druhet Kurtit, deklaratat e të cilit kanë qenë mjaft më të ashpra se ato të ish kryeministrit Haradinaj dhe të presidentit Thaçi, nuk e mbylli asokohe mundësinë e një dritareje bashkëpunimi. Këto komente u bënë përpara se Kurti të konfirmohej në krye të ekzekutivit kosovar. Por edhe në pohimet e tij të fundit për Sputnik, Vucic tregon po pret të shohë si do të jetë atmosfera në Mynih.
“Mendoj se do të jetë një mundësi e mirë për të vlerësuar drejtimin në të cilin mund të fillojnë bisedimet, prandaj për ne ka rëndësi të madhe të njohim hapat e mëtejshëm të qeverisë së Prishtinës, të gjermanëve, të amerikanëve dhe të tjerëve në bashkësinë ndërkombëtare”, është shprehur ai. Si për të ashtu edhe për Kurtin, janë parashikuar takime me Grenell, që po i mëshon fort heqjes së taksës 100% të Kosovës mbi produktet serbe, edhe pse zëdhënësi i tij i mohoi së fundi presionet me anulimin e investimeve amerikane në Kosovë, duke thënë se ndryshe nga sa pretendoi RTK, ambasadori nuk e ka deklaruar kurrë një gjë të tillë.
Top Channel