Javën e shkuar në Antarktik ishte aq ngrohtë sa mund të dilje me mëngë të shkurtra. Temperaturat arritën në mbi 18 gradë Celcius duke thyer çdo rekord të regjistruar në Kontinentin e Bardhë.
Matjet u bënë nga Baza Kërkimore Esperanza në pjesën veriperëndimore të kontinentit, një nga zonat që ka pësuar ngrohjen më të shpejtë në tokë.
Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, temperature të tilla nuk janë aspak normale, madje as gjatë verës.
Ndërkohë që i gjithë planeti po ngrohet dita ditës, polet e tij po nxehen gjithnjë e më shpejt. Sa më e nxehtë të jetë toka, aq më shpejtë do të shkrihen akujt. Sa më shpejtë të shkrihen akujt, aq më shumë do të rriten nivelet e detit. Kështu të gjithë jemi të rrezikuar.
Deri më tani, Kombet e Bashkuara kanë pasur mision që të pengojnë rritjen e temperaturave globale qoftë edhe me 2 gradë Celcius. Por temperaturat tashmë janë ritur me 1 gradë Celcius mbi nivelet e lejuara industriale. Polet nga ana tjetër po nxehen akoma më shpejt madje me të paktën 3 gradë Celcius.
Shtresat e akullit në Antarktik po humbasin një masë prej 127 gigaton akull çdo vit. Sipas Kombeve të Bashkuara, përgjatë pesëdhjetë viteve të fundit, 87 përqind e akullnajave në brigjet perëndimore të Antarktikut janë shkrirë.
Sipas shkencëtarëve, shkrirjet masive në Polin e Jugut do të përshpejtojnë shkatërrimin e kontinentin duke bërë që niveli global i detit të rritet me tre metra.
Top Channel