Humbja në derbi ka lënë pasoja në shtëpinë e Milanit, veçanërisht për mënyrën sesi erdhi, pasi ishin fituar pjesën e parë 0-2 dhe në 45-minutëshin e dytë nxorën plot 4 herë topin nga rrjeta, duke u larguar kokulur nga “San Siro”.
I ardhur për të nxjerrë skuadrën nga kriza, Stefano Pioli ka regjistruar 8 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje në stolin e Milanit, ndërsa kuqezinjtë nga 4 pikë larg vendit të katërt, tani e shohin veten plot 10 pikë larg Atalantës.
Për më tepër, vlen të theksohet se ndaj skuadrave të kreut të renditjes Milani ka dalë me zero pikë, çka i venit edhe më shumë shanset e kuqezinjve për t’ia dalë të renditen në katërshen e parë dhe të rikthehen në Champions.
Sipas mediave pranë klubit kuqezi, Pioli ka firmosur deri në verën e 2021-shit me Milanin dhe drejtuesit nuk i kanë vënë kusht kualifikimin në zonën Champions, por tani është e qartë që nëse kuqezinjtë nuk renditen në katërshen e parë tekniku nuk do të konfirmohet për verën e ardhshme.
Momentalisht alternativa e përfolur për të pasuar Piolin është ajo e gjermanit Ralf Rangnick, që pritet të vijë me rolin e dyfishtë të trajnerit dhe drejtorit sportiv, pas një eksperience të njëjtë te gjermanët e Leipzig.
Megjithatë së fundi ka dalë në skenë edhe rikthimi i bujshëm i Massimiliano Allegrit, i cili ka drejtuar kuqezinjtë edhe në periudhën 2010-2014, duke i çuar drejt titullit kampion që në sezonin e tij të parë dhe flirtuar në sezonin e dytë.
Aktualisht Massimiliano Allegri është i papunë që prej verës së kaluar kur u largua nga Juventusi dhe ndonëse shumë klube kanë marrë informacione për të, në fund janë stepur nisur edhe nga fakti që Allegri njihet si një trajner racional, që nuk kujdeset aspak për lojën e bukur.
Top Channel