Përmbytet varka, 13 të vdekur dhe 40 të zhdukur

11/02/2020 11:27
Foto ilustruese

Të paktën 13 refugjatë Rohingya kanë humbur jetën sot herët pasi varka e tyre u përmbys pranë ishullit Saint Martin në Gjirin e Bengalit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne fillimisht erdhëm në përfundim se të vdekurit janë anëtarë të komunitetit Rohingya që jetojnë në kampe refugjatësh”, tha Kamal Hossain për AA, shef i administratës lokale.

Hossain shtoi se personat që humbën jetën janë sjellë në bregdetin më të afërt.

“Ekipi ynë është atje dhe ne jemi akoma duke vazhduar operacionin e shpëtimit”, shtoi Hossain.

Sipas krahut mediatik të Rojes bregdetare, Garda Bregdetare e Bangladeshit dhe një forcë detare po kryejnë bashkarisht operacionet e kërkim-shpëtimit.

“Ne po ashtu kemi shpëtuar 63 persona, kryesisht Rohingya”, tha për AA një zyrtar i krahut mediatik.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se të paktën 40 persona ende llogariten si të zhdukur.

Ndërkohë, duke cituar një komandant të Rojes bregdetare, televizioni lokal privat “Jamuna TV” raportoi se janë zbuluar 20 trupa, shumica e tyre Rohingya.

Ai tha se numri i vdekjeve mund të rritet, duke shtuar se ata po përpiqen të lokalizojnë të zhdukurit.

Mbi 1 milion refugjatë Rohingya aktualisht janë duke jetuar në kampe të improvizuara në Cox’s Bazar në kushte jo-njerëzore.

Disa përpjekje të vitit të kaluar për të riatdhesuar në mënyrë paqësore refugjatët Rohingya në vendin e tyre në shtetin Rakhinë të Mianmarit kanë dështuar, duke shkaktuar një zhgënjim midis njerëzve të persekutuar për të ardhmen e tyre në kampe dhe duke i nxitur ata të zgjedhin rrugët e rrezikshme detare për t’u shpërngulur në mënyrë të paligjshme në Malajzi, Indonezi dhe në vende të tjera.

– Rohingya, popull i persekutuar

Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1.2 milionë.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Top Channel