Greqi/ Rekuizimi i tokave në ishuj shkakton reagime të forta

11/02/2020 15:48

Qeveria greke me një akt legjislativ ka miratuar një vendim për të rekuizuar , për një periudhë tre vjeçare, sipërfaqe tokësore në pronësi të bashkive dhe individëve në ishujt Lesvo, Kos, Samos, Hios dhe Lero, më qëllim ndërtimin e qendrave të mbyllura për të kontrolluar fluksin e emigrantëve gjithnjë në rritje dhe tepër shqetësues.

Sipas këtij vendimi, refugjatët dhe emigrantët e rinj që kanë ardhur prej janarit të këtij viti, si dhe ata që do të hyjnë tashmë në tokën greke, do të qëndrojnë në këto struktura të mbyllura në mënyrë që të lehtësojnë procesin e identifikimit dhe azilit.

Të gjithë ata që do të refuzohen në kërkesën e tyre për azil, apo do të kenë sjellje në kundërshtim me ligjet, do të riatdhesohen menjëherë.

Emigrantët që do të çohen në to do të kenë një leje disa orëshe gjatë ditës për të dalë nga kampi, por në mbrëmje do të duhet të jenë të gjithë brenda dhe struktura do të jetë e mbyllur.

Sipas ministrit të Emigracionit dhe Azilit, Notis Mitarakis, ndërtimi i këtyre strukturave do të fillojë në muajin mars dhe këto qendra do të jenë të gatshme në verë.

Por vendimi i qeverisë ka shkaktuar reagime dhe kundërshtime të mëdha politike me opozitën greke që konsideron masat në fjalë joefektive dhe të rrezikshme.

Gjithashtu ngrenë zërin dhe protestojnë edhe autoritetet lokale dhe banorët e ishujve në fjalë të cilët kërkojnë që një pjesë e madhe e emigrantëve dhe refugjatëve do të dërgohen në kampet e Greqisë kontinentale, duke deklaruar madje se do ta çojnë çështjen e ndërtimit të këtyre kampeve të mbyllura edhe në Gjykatën Supreme.

Nga ana e saj qeveria Mitsotakis shpreson se ky vendim si dhe përshpejtimi i procedurave të dhënies apo refuzimit të azilit do të funksionojë si një mur ndalues ndaj 100-200 hyrjeve të përditshme që regjistrohen muajt e fundit në ishujt e Egjeut, nga brigjet turke.

Top Channel