Ngadalësimi i ekonomisë dhe ecuria e dobët në mbledhjen e të ardhurave kanë vënë nën presion financat e shtetit duke rrezikuar uljen e borxhit publik.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se vitin e kaluar, borxhi publik u ul me vetëm 0.4 pikë përqindje ndaj prodhimit kombëtar, çka përbën rënien më të vogël në tre vjet.

Sipas Ministrisë së Financave, nga 64.9 përqind e prodhimit kombëtar që ishte në vitin 2018, në fund të vitit të kaluar borxhi i shtetit shqiptar zbriti në 64.5 përqind. në dy vitet e mëparshme, borxhi publik është ulur respektivisht me 3 dhe 3.8 pikë përqindje.

Në vitin 2016, parlamenti miratoi një rregull fiskal, i cili e detyron qeverinë ta ulë borxhin nga viti në vit derisa të zbresë në 45 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Por ndonëse në 2017-ën dhe 2018, borxhi është ulur me ritme të shpejta, vitin e kaluar, rregulli fiskal është vënë nën rrezik, nëse merren parasysh edhe detyrimet e prapambetura që qeveria ka krijuar ndaj biznesit.

Qeveria shpreson se ekonomia do të rigjallërohet këtë vit duke u rritur me 4.1 përqind. Por ky parashikim rezulton optimist nëse krahasohet me projeksionet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare. Sipas FMN-së dhe Bankës Botërore, rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2020 do të luhatet rreth nivelit 3.5 përqind. Kjo paralajmëron se ulja e borxhit do të vazhdojë të jetë e vështirë duke mos i lënë hapësirë qeverisë të japë më shumë para për sektorët kyç si arsimi dhe shëndetësia.

 

 

 

 

Top Channel