Ndonëse kaloi një javë të komplikuar për shkak të virozës, Zlatan Ibrahimovic luajti 90 minuta në derbin ndaj Interit dhe bëri më së miri detyrën e tij, pasi fillimisht asistoi për Rebiç dhe më pas shënoi golin e dytë, duke dyfishuar avantazhin në fundin e pjesës së parë.
Megjithatë reagimi i zikaltërve ishte i jashtëzakonshëm në pjesën e dytë, kur edhe arritën të shënojnë katër herë në portën e Donnarummës e të marrin tre pikët, ndërsa vetë Ibra shpjegon edhe si erdhi ajo përmbysje.
“Bëmë një pjesë të parë perfekte dhe dominuam tërësisht, duke shënuar edhe dy gola në portën e Interit. E dinim që duhet të bënim kujdes deri në minutën e 60’ dhe të mundoheshim të mos pësojmë, por morëm dy gola shumë të shpejtë, që na bënë të humbim besimin”, deklaroi suedezi.
Interi u ngjit në krye të renditjes me këtë fitore, ndonëse me pikë të barabarta me Juventusin, ndërsa vetë Ibra, i cili ka veshur fanellën e dytë dyja skuadrave, e thotë me bindje që zikaltrit nuk janë për titull kampion.
“Fillimisht bëmë presion lart dhe ia dolëm të kontrollojmë lojën, por pas golit të Brozovic, na ra besimi dhe fuqia. Nuk po bënim më presion dhe po qarkullonim gabim topin. Interi në pjesën e parë nuk më bindi se ishte për vend të dytë, por në pjesën e dytë tregoi të kundërtën. Megjithatë nuk është një skuadër për titull”, tha Ibra.
Top Channel