Verona e shqiptarëve, Marash Kumbullës dhe Amir Rrahmanit mposhti mbrëmjen e djeshme skuadrën e Juventusit me rezultatin 2-1.

Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 21-ë, ku Marash Kumbulla devijoi saktë me kokë krosimin e Gynter. Por, gjyqtari i takimit e anuloi golin i ndihmuar nga pamjet e VAR-it, ku konstatoi se 19-vjeçari ndodhej në pozicion jashtë loje gjatë aksionit të golit.

Në minutën e 65-ë, Cristiano Ronaldo arriti të kalonte në avantazh kampionët e Italisë pas një kundërsulmi spektakolar nisur nga gjysmëfusha e Juventusit. Amir Rrahmani e ndoqi yllin portugez deri në momentin e fundit, por nuk mundi ta ndalonte së shënuari.

Me golin ndaj verdhebluve, Ronaldo vendos rekord të ri në historinë e Juventusit duke u bërë lojtari i parë që shënon në 10 ndeshje radhazi. Por, vendasit reaguan me ish-milanistin Fabio Borini. Italiani depërtoi pa probleme brenda mbrojtjes së Juventusit duke shënuar golin e baraspeshës.

Verona arriti ta përmbysë ndeshjen me anë të penalltisë së shënuar nga Pacini, e cila u fitua nga mbrojtësi Marash Kumbulla, që dje festonte edhe ditëlindjen e tij. Kapiteni i Juventusit Leonardo Bonuçi preku me dorë goditjen me kokë të mbrojtësit të talentuar shqiptar.

Verona i shkaktoi humbjen e tretë Juventusit në këtë sezon. Ky është rezultati më i mirë që verdheblutë kanë siguruar në këtë duke u konfirmuar tashmë si një skuadër e rrezikshme për çdo rival në Itali. Humbja e Juventusit i jep mundësi Interit të barazojë me pikë “Zonjën e Vjetër” duke rindezur luftën për titullin kampion në Itali.

Top Channel