Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare, ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Kanë qenë familjarët e së ndjerës ata që kanë dhënë lajmin e trishtë. Vajza e saj, Cuce Pagarusha ka publikuar një fotografi zie në profilin e saj në Facebook.

“Zemër ike e qetë ashtu si edhe në jetë. Vdiq Nexhmije Pagarushe”, ka shkruar ndërkohë një familjare e saj.

Pagarusha, një emër i ndritur në muzikën shqiptare do të jetojë përjetësisht në kujtesën e kombit për këngët “Baresha”, “E dehur jam”, “Ani mori nuse”, “Mora testin”,  “Dallëndyshe” dhe shumë të tjera.

Artistja e madhe lindi në Pagarushë, më 7 maj 1933. Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd pati paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 u pranua soliste në Radio Prishtinë. Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u shfaq në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.

“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjëri nga organizatorët teknikë nuk mendoi ta regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara prej saj, sepse, siç vetë Pagarusha është shprehur, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se Bilbili i Kosovës ka interpretuar mbi 150 këngë.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë. Pas 16 vitesh larg skenës,  u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të drejtuar nga Ardit Gjebrea. Po kështu, Pagarusha ishte në jurinë e festivalit “Kënga Magjike 2005”. Aktualisht është këshilltare e lartë për muzikë në Radio Kosovë dhe në Radio Blue Sky.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel