Pati disa raporte kundërthënëse mbi mjekun kinez që u përpoq të paralajmëronte rrezikun për shpërthimin e koronavirusit të ri, por së fundi u konfirmua se lajmi i vdekjes së tij është i vërtetë.
Li Wenliang u infektua nga koronavirusi ndërsa punonte në spitalin qendror të qytetit Vuhan. Ai u dërgoi një paralajmërim mjekëve të tjerë në 30 dhjetor, e jo vetëm nuk u besua, por mori dhe paralajmërim nga policia që të mos bënte “komente të rreme”. Në fillim të janarit, e kishin thirrur si autoritetet shëndetësore ashtu dhe ato të rendit dhe e kishin detyruar të firmoste një deklaratë ku thuhej se paralajmërimet e tij ishin të pabazuara. Por shumë shpejt u pa se ai kishte të drejtë, dhe izolimi i bërë nga zyrtarët vendas, nuk e pengoi dot që të shndërrohej në një hero në mediat sociale. Li ishte vetëm 34 vjeç.
“Nuk kemi për ta harruar kurrë mjekun që foli për sëmundjen dhe ata që e quajtën thashethem. Gjë tjetër nuk bëjmë dot, por do të bëjmë atë që kemi në dorë: të mos e harrojmë kurrë”, shkruante një komentues. Një ndjenjë e ngjashme mbizotëron edhe mes shumë banorëve të Pekinit.
“Ai është hero; e para kjo tregoi se ishte shume i zoti ne punën e tij, se ndryshe nuk do të kishte qenë i pari që do të kuptonte problemin. Ishte i guximshëm dhe i ndershëm, e mua me zemëron fakti sesi u trajtua”, shprehet një qytetar.
Ndërkohë është rritur numri I personave që rezultojnë të prekur nga koronavirusi në bordin e anijes turistike japoneze të vendosur në karantinë. 61 persona kanë rezultuar aty pozitivë, që do të thotë trefishim I numrit të infektimeve krahasuar me një ditë më parë. Të sëmurët do të zbriten nga anija për tu dërguar në spital që të marrin trajtim mjekësor.
Top Channel