Policia e Beratit ka “blinduar” rrugët e qytetit, ku janë ngritur postblloqe të shumta. Burime për Top Channel bëjnë me dije se këto masa janë ndërmarrë me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim si dhe për rritjen e sigurisë rrugore.

Masat e shtuara janë  aktivizuar në qytet prej dy ditësh, ku postblloqe përveçse në Berat ka paralelisht edhe në katër bashkitë e tjera të qarku.

Në hyrje dhe në dalje të Beratit janë ngritur pika kontrolli pjesë e të cilëve janë bërë të gjithë sektorët e kësaj drejtorie, duke filluar që nga inspektorët e krimeve e deri tek ata të qarkullimit rrugor.

Në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë, ndërkohë që janë kontrolluar edhe personat që drejtonin automjetetet, nëpërmjet identitetit të tyre, për të verifikuar nëse janë apo jo persona në kërkim policor në Berat a në qytete të tjera.

Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se,vetëm në dy ditët e para të këtij aksioni janë kontrolluar rreth 100 automjete dhe janë vendosur 80 masa administrative për ata drejtues mjetesh që kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion dhe me shkelje.

Po kështu,gjatë këtij aksioni policia ka ushtruar kontroll fizik për armë,drogë e sende të tjera të kundraligjshme mbi 145 shtetas që kanë kaluar me automjete në postblloqet e ngritura. Të njëjtat burime konfirmojnë se,postblloqet policore do të vijojnë të qëndrojnë disa ditë me radhë në rrugët e qarkut të Beratit. Kontrollet policore nuk janë përqëndruar vetëm në rrugët e qytetit por edhe në bare e lokale,që dyshohen për ushtrimin e veprimtarive të paligjshme.

Top Channel