Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Energjinë Fosile, Steven Winberg, me të cilin bisedoi mbi transformimin që ka pësuar kryeqyteti shqiptar vitet e fundit, por edhe ambicien e Tiranës për të qenë lider në rajon, sa i takon nismave për burime të pastra dhe të qëndrueshme energjie.
Kryebashkiaku i Tiranës e njohu z. Winberg me disa nga hapat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës për uljen e ndotjes dhe nevojën për të rritur kapacitetet për shfrytëzimin e energjisë së pastër, si alternativë ndaj karburantit të zakonshëm. Veliaj dhe zyrtari i lartë amerikan dakordësuan disa hapa konkretë, që Tirana të jetë shembull në rajon për përdorimin e gazit natyror të lëngshëm (i pastër për mjedisin), duke qenë se kjo përkon edhe me politikat e Bashkisë së Tiranës për uljen e ndotjes që shkaktohet nga përdorimi i tepërt i automjeteve.
Nga ana e tij, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Energjinë Fosile, Steven Winberg, theksoi se administrata Trump dëshiron forcim të lidhjeve me rajonin e Ballkanit. Ai shtoi se SHBA-të janë prodhuesi më i madh i gazit natyror në botë dhe një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit natyror të lëngshëm, për të cilin Shqipëria mund të kthehet edhe në një pikë e rëndësishme e rajonit sa i përket shpërndarjes së këtij gazi.
Nisur nga avantazhet që ka përdorimi i gazit natyror të lëngshëm, kryebashkiaku Veliaj shprehu gatishmërinë për të pilotuar zbatimin e një projekti për shfrytëzimin e tij, i cili jo vetëm do të ndikonte në uljen e ndotjes së makinave, por në të njëjtën kohë ka kosto më të ulët.
Top Channel