Kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e misionit të OSBE-së, njëherësh ambasador i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, me të cilin ka biseduar për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve.

Në një konferencë për media pas takimit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës tha se me diplomatin norvegjez biseduan për avancimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen që zyra e OSBE-së ka dhënë mbështetjen e grupit të grave deputete dhe deputetëve të ri.
“Diskutuam për mbështetjen që OSBE-ja i ka dhënë Kuvendit të Republikës së Kosovës përgjatë këtyre viteve qoftë nëpërmjet ekspertizës që lidhet me hartimin dhe amandamentimin e legjislacionit, po ashtu edhe me mbështetjen grupit të grave deputete dhe grupit të deputetëve të rinj, dy grupe këto që janë tejet të rëndësishme për të avancuar të drejtat dhe barazinë gjinore dhe në të njëjtën kohë mënyrën se si trajtohet rinia në Kosovë. Diskutuam për mënyrën se si mund të thellohemi edhe më tej dhe si mund të avancohen relacionet në mes institucioneve tona dhe OSBE-së”, tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës theksoi se bashku me ambasadorin Braathu do të krijohen relacione më efikase me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

“Tani që Shqipëria e udhëheq OSBE-në gjatë muajve në vijim ne në bashkëpunim me institucionet e Shqipërisë dhe me ambasadorin Braathu do të shikojmë se si mund të diskutohet më shumë dhe si mund të diskutohet më mirë përbrenda Republikës së Kosovës dhe OSBE, dhe si Kuvendi i Kosovës do të shikojnë dhe analizojnë të gjejnë mënyrat më të mira që të gjejnë mënyrat më të mira që të krijojmë relacione shumë më efikase me asamblenë parlamentare të OSBE-së”, tha Osmani.

Ndërsa, ambasadori Braathu e uroi kryetaren Osmani për postin e ri duke thënë se janë gjithmonë të gatshëm për mbështetje të Kuvendit të Kosovës edhe në të ardhmen.

“Unë erdha këtu sot për të uruar kryetaren e Kuvendit të Kosovës për emërimin e saj dhe t’i uroj çdo sukses në mandatin e saj dhe gjithashtu ta siguroj atë, pasi ajo e di shumë mirë që misioni i OSBE-së në Kosovë është këtu për të mbështetur dhe do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë dhe në mandatin tonë për të mbështetur jo vetëm kryetaren e Kuvendit, por të gjithë deputetët që punojnë në Kuvendin e Kosovës. Misioni i OSBE-së në Kosovë është këtu për të punuar për Kosovën. Ne jemi këtu për të punuar me deputetët tuaj, me institucionet tuaja, në mënyrë që të promovojmë qeverisje të mirë, demokraci, të drejtat e njeriut dhe sigurinë publike”, tha Braathu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA