Një numër i studentëve të Universitetit të Prishtinës kanë organizuar sot një aksion simbolik para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Ata me këtë rast kanë vendosur dy pankarta para këtyre institucioneve, njëra me mbishkrim për kryeministrin Albi Kurtin e tjetra për kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Duke përçuar mesazhin e këtij aksioni simbolik, studentja Diellza Gashi tha se janë mbledhur me qëllim që t’ia kujtojnë Kurtit dhe Osmanit shkeljet që po i bëjnë qysh në ditën e parë të marrjes së mandateve.
“Kryeministri aktual, Albin Kurti, me dekada i mohoi institucionet dhe simbolet e Republikës së Kosovës, i përbuzi, përdhosi me ujëra të zeza dhe i dogji me molotov, por ai dje qëndroi gatitu para flamurit të Republikë së Kosovës, që dikur e quante flamur lara-lara. Përdhosjen e simboleve shtetërore ai e kishte shndërruar në trashëgimi politike. Po ashtu, me sjelljen e tij politike, me gaz lotsjellës në Kuvend me përdorimin e dhunës në rrugë, me ngritjen e tendave dhe grevave në shesh, ai ka ushqyer gjithmonë iluzionin se Kosova nuk bëhet, se Kosova është shtet i dështuar, duke kërkuar një republikë të tretë”, u shpreh Gashi.
Sipas saj, këto veprime kryeministri Kurti i ka bërë me qëllim për ta përmbysur Republikën e Kosovës, por që studentët shpresojnë që këto veprime ai do t’i lë në të kaluarën e tij.
“Këto ishin përpjekjet e tij për ta përmbysur Republikën tonë, por që tani besojmë se i takojnë të kaluarës së tij, prandaj si studentë i gëzohemi ndryshimit të Kurtit, dhe gëzohemi që ai ka shkelur pothuajse të gjitha parimet e tij, si dhe i dëshirojmë suksese në rolin dhe detyrën e re”, tha Gashi.
Majlinda Selmanaj, studente në Fakultetin e Infermierisë, tha se kryeparlamentarja Osmani në ditën e parë të punës e shkeli ligjin dhe Kushtetutën duke hequr nga zyra e saj fotografinë zyrtare të presidentit të Republikës.
“Ligji për Protokollin e Shtetit i obligon të gjitha institucionet që ta vendosin fotografinë e presidentit të Republikës së Kosovës, kryeparlamentarja Osmani në ditën e parë të punës e shkeli ligjin, e shkeli Kushtetutën duke hequr nga zyra e saj fotografinë zyrtare të presidentit të Republikës…Si e dyta në hierarkinë shtetërore, Vjosa Osmani menjëherë tregoi që nuk e respekton as hierarkinë, as përfaqësimin dhe as ceremonialet zyrtare e protokollare të Republikës së Kosovës. Por edhe krye parlamentarja edhe çdo titullar tjetër në institucionet e Kosovës duhet ta ketë të qartë se pozitat dhe ata janë të përkohshëm, kurse institucionet dhe Republika e Kosovës të përhershme”, deklaroi Gashi
Top Channel