Qeveria e Maqedonisë së Veriut e mirëpriti metodologjinë e re të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e cila u publikua të mërkurën nga ana e komisionarit për zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi.
Autoritetet e Shkupit janë optimiste se në mars, Komisioni Evropian do të miratojë propozimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se Shkupi nuk druhet nga dokumenti i hartuar, ndërsa shprehu bindjen e përmbushjes së detyrimeve për të rrumbullaksuar procesin e integrimit evropian. Ai shtoi se për Maqedoninë e Veriut janë të pranueshme katër kriteret e metodologjisë, ndërsa theksoi se vendi është i përgatitur dhe në një garë të barabartë “do të mund të përballej edhe me kushte më rigoroze dhe do t’i kalonte edhe vendet që tashmë janë në bisedime”.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut tha se pret fillim të negociatave për anëtarësim, por duke e vlerësuar si pozitive mundësinë e ndërprerjes së negociatave në rast regresi. Kjo, sipas MPJ-së, do të shënojë fillimin e një konkurrence të shëndoshë të reformave mes vendeve të rajonit. Metodologjia e Komisionit Evropian i hap rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.
Ajo nuk e përjashton as mundësinë e pezullimit apo të kthimit në fillim të bisedimeve të pranimit nëse shtetet kandidate nuk përparojnë në asnjë fushë. Metodologjia e re është iniciuar nga Franca, vitin e kaluar. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bllokuar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar reforma të mëtejshme nga këto dy vende, por edhe reformim të vetë procesit të zgjerimit të BE-së.
Top Channel