“Lumë” golash dhe spektakël pa fund në sfidën mes Sassuolos dhe Romës në “Mapei Stadium”, ndërsa në fund ishte skuadra vendase ajo që festoi, pasi triumfoi ndaj kryeqytetasve me rezultatin final 4-2.
Ndryshe nga ajo paraqitje fantastike në derbi një javë më parë, Roma zhgënjeu totalisht mbrëmjen e sotme, ku e nisi ndeshjen e përgjumur dhe brenda minutës së 26’, nxori plot tre herë topin nga rrjeta, pas dopietës së Caputos dhe golit të Djuricic. Trajneri Paulo Fonseca nuk u beson syve për atë që sheh në fushë, ndërsa ndryshimin e parë e bën sapo fillon pjesa e dytë, pasi la në dhomat e zhveshjes Santon e hodhi në vend të tij brazilianin Bruno Perez.
Në minutën e 55-të, pas një aksioni pa fort pretendime dhe rrëmuje në zonë, Dzeko kërceu mbi të gjithë dhe arriti të shënojë në portën e Consiglit, duke rikthyer shpresën se humbja edhe mund të shmangej. Megjithatë në momentin më të mirë të kryeqytetasve, kur goli i dytë ishte rrotull, Lorenzo Pellegrini “tradhtoi” të tijtë, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Roman me 10 futbollistë.
Vetëm tre minuta pas këtij episodi, këtë herë fati ishte me Romën, pasi Boga ndali me dorë një krosim që po i drejtohej zonës dhe arbitri nuk pati aspak dyshime në akordimin e një penalltie në favor të verdhekuqve. Nga pika e 11 metrave shkoi mesfushori Jordan Veretout, që gjuajti saktë dhe mposhti për herë të dytë Consiglin, duke rihapur takimin dhe rritur shpresat për të paktën një pikë në “Mapei Stadium”, por entuziazmi zgjati vetëm pak sekonda.
Kjo pasi në aksionin e radhës, ishte vetë Jeremi Boga që “kërkoi ndjesë” për atë prekje të topit me dorë, me një aksion spektakolar nga e majta e sulmit, që e konkretizoi me një gjuajtje shumë të bukur dhe shënoi golin e katërt për Sassuolon. Minutat e mbetura Roma humbi tërësisht besimin dhe u shfaq e dorëzuar në fushë, ndërsa kjo ndihmoi Sassuolon që të menaxhojë më mirë avantazhin e dyfishtë dhe të shijojë një 3-pikësh spektakolar e tërësisht të merituar, ndërsa vlen të theksohet se kjo ishte fitorja e parë në histori ndaj Romës.
Top Channel