Krimet e Rënda të ndodhura kohët e fundit, por edhe situate e kriminalitetit në vend kanë qenë në fokus të emisionit “Open” në Top Channel.

Statistikat e publikuara nga vetë institucioni I Policisë së Shtetit, duke bërë një krahasim të thjeshtë mes vitit 2019 dhe vitit 2018 rezulton se në vitin që lamë pas kanë ndodhur 12 vrasje më shumë se sesa në vitin paraardhës, i cili u mbyll me 45 të tilla. Në vitin 2019 kanë ndodhur në tërësi jo pak, por 57 vrasje që kanë lënë 63 viktima dhe 10 të plagosur.

Nga këto 57 vrasje, 14 prej tyre kanë qenë krime në familje, 13 vrasje me dashje, 17 me paramendim, si dhe 13 vrasje të tjera të ndodhura në rrethana të tjera cilësuese. Në gjithë këto vrasje duhet thënë që janë prekur edhe njerëz të sistemit të drejtësisë, ku rast thuajse më i freskët është atentati i realizuar ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj, në të cilën mbeti i vdekur shoferi i tij dhe u arrestua vetëm një person, Redjan Rraja.

Ndër goditjet kriminale të ndodhura ndaj njerëzve të drejtësisë përmendim këtu edhe vrasjen e avokatit Ravik Gurra, mbrojtës i fisit Çapja dhe Emiljano Shullazit, si dhe atentati me tritol ndaj prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçit. Ndërkohë, nga 57 vrasje të ndodhura përgjatë 2019-ës, policia ka zbardhur vetëm 40 prej tyre, me 66 autorë të dyshuar, nga të cilët 43 janë arrestuar e ndërsa pjesa tjetër vijojnë të jenë në kërkim.

Top Channel