Rudina Hajdari paralajmëron veton në Parlament për Reformën zgjedhore. Ja shkaku

30/01/2020 21:38

Disa javë më parë strukturat kryesore politike në vendin tonë u ulën së bashku në një tavolinë bisedimesh për të diskutuar në lidhje me Reformën Zgjedhore. Pjesë e takimit ishin Petrit Vasili përfaqësues i LSI-së, Oerd Bylykbashi nga radhët e PD-së, Darmian Gjiknuri përfaqësuesi i PS-së dhe Rudina Hajdari përfaqësuese e opozitës parlamentare.

Palët kanë caktuar 15 marsin si afatin e fundit për të sistemuar të gjithë detajet e reformës, nga ku më pas duhet të kalojë në parlament. E ftuar ditën e sotme në studion e emisionit “Top Talk”, ishte deputetja Rudina Hajdari, e cila u pyet nga gazetari Denis Dyrnjaja në studio pikërisht në lidhje me këtë temë. Deputetja u shpreh se sipas saj data 15 mars nuk do të jetë dita e fundit për të zgjidhur çështjen e Reformës Zgjedhore, sepse e shikon si një kohë mjaft të shkurtër që të realizohen të gjitha pikat që janë të parashikuara në axhendë. Ajo shtoi se është ulur në tavolinën e bisedimeve, vetëm për një qëllim, të miratohet sistemi zgjedhor me lista të hapura. Në të kundërt thotë ajo do të detyrohen (i referohet këtu edhe opozitës në parlament) që të ndërmarrin një referendum.

“Tryeza për momentin po funksionon, ka afate të caktuara. Të jem e sinqertë vazhdoj dhe jam skeptike për datën 15 mars, sepse ka shumë gjëra në atë tryezë dhe shumë çështje që janë shtuar. Unë do të vazhdoj të shtyj përpara, për atë që unë jam ulur në atë tryezë, për sistemin. Por e shikoj gati të pamundur që të realizohen të gjitha pikat që janë në axhendë. Ne duhet të ecim me hapat e kohës dhe të gjithë indikacionet janë që vendet e rajonit apo vendet fqinje po shkojnë drejt hapjes së listave. Ajo që po kërkoj unë si pjesë e kësaj tryeze të Komisionit të Reformës Zgjedhore së bashku me opozitën parlamentare dhe shoqërinë civile, është një çështje që duhet parë me vëmendje dhe nuk duhet anashkaluar nëse duam vërtetë të kemi një progres në vendin tonë. Besoj se kjo do të ndëshkohet me votë, do të duket qartë se kush do të jetë ai peshon që do ta ndalojë këtë gjë dhe pse do ta ndalojë. Një mjet në këtë rast do të jetë referendumi, ushtrimi i të drejtës së referendumit. 50 mijë firma besoj që mund të bëhen. Ka disa hallka, ka disa mënyra sesi është shkruar në kushtetutë sot çështja e referendumit e cila ndahet në tre mënyra të ndryshme. Është nëpërmjet 50 mijë njerëzve, po ashtu edhe  nëpërmjet 35 firma të deputetëve. Gjithashtu duhet edhe një miratim nga presidenti, por edhe gjykata kushtetuese duhet të japë dorën e saj. Ajo që unë garantoj në këtë proces është përkushtimi im në lidhje me këtë çështje” përfundoi fjalën e saj Rudina Hajdari.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA