Tension i lartë në shtëpinë e Manchester United. Koret e tifozëve, që uronin vdekjen e Ed Woodward në dy ndeshjet e fundit të “Djave të Kuq”, ishin vetëm paralajmërimi i aksionit. Natën, mes të martës dhe të mërkurës, tifozët e klubit kanë sulmuar me mjete piroteknike shtëpinë e zëvendëspresidentit ekzekutiv të United, që tanimë është kthyer në shënjestrën e akuzave për situatën e klubit që ka rrëshqitur plot – 33 pikë nga kryesimi, dhe 6 pikë pas zonës Champions.
Siç raportojnë mediet angleze, një grup personazh me fytyrë të mbuluar, kanë goditur me fishekzjarre portën e banesës së Ed Woodward, që ka një shtëpin me vlerë 2 milionë paundë, duke vandalizuar në kangjellat e derës me bojë me spraj e duke shkruar sharje të çdo lloji. Gjithçka është postuar në rrjetet sociale, duke u shoqëruar me frazën: “Ed Woodward po vdes”.
Vandalët kontestojnë Woodward, që për fat nuk ishte në atë moment në banesë ashtu si dhe familja e tij, për keqmenaxhimin e klubit dhe zgjedhjet e merkatos.
Manchester United, sapo u informua për incidentin, u pozicionua dhe në një komunikatë bëri të ditur se do të përjashtojë përjetë nga “Old Trafford” përgjegjësit e këtij gjesti burracakërie.
“Kushdo që do të gjendet fajtor për një krim apo se ka sulmuar pronën e Woodward, do të përjashtohet përjetë nga klubi,” – shkruhet në komunikatën. – “Tifozët që shprehin një opinion janë diçka tjetër dhe dëmtimi kriminal me synimin për të vënë në rrezik jetën dhe pronën, janë diçka krejt tjetër. Thjesht nuk ka justifikime për këtë gjest. Bota e futbollit do të bashkohet me ne, ndërsa po punojmë me policinë e Manchesterit për të gjetur autorët e këtij sulmi të pajustifikuar”.
Por nuk përfundon këtu, pasi siç bën të ditur “The Sun”, kontestuesit këmbëngulin në arsyetimin e tyre, me tablodin që përcjell qëndrimin e shprehur në këtë mënyrë: “Woodward është një katastrofë si drejtues dhe duhet të ikë. Ia thonë shumë këtë, por ai nuk dëgjon, ndoshta sepse fiton 4 milionë paundë në vit. Ndaj Kemi vendosur t’i bëjmë një vizitë dhe t’ia themi personalisht. Nuk arritëm të flasim me të, por shpresojmë që ta ketë marrë mesazhin. Nuk do të qëndrojmë duarkryq, ndërkohë që klubi ynë po shkatërrohet”.
Për ndeshjet e ardhshme, në “Old Trafford, kundër Wolverhamptonit, parashikohet një braktisje në masë e tribunave, pasi duket se kontestimi i tifozëve nuk do të ndalet.
Top Channel