Një argjendari është grabitur gjatë natës në qytetin e Librazhdit nga persona ende të paidentifikuar.

Edhe pse me një sistem të mirë sigurie dhe fare pranë komisariatit të policisë Librazhd argjendaria nuk i ka shpëtuar grabitjes për të disatën herë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit të së mërkurës, në një kohë rekord dhe më pas grabitësit janë larguar. Siç bëhet e ditur, grabitësit kanë pasur një plan të mirë veprimi. Më herët ata kanë qenë në banesën e Skënder Xhani ku kanë marrë çelësat e argjendarisë, për të hyrë më pas lehtësisht.

I vetmi informacion që jep policia e shtetit është se argjendaria është grabitur pa thyerje. Ndërkohë nuk dihet nëse kamerat e sigurisë kanë mundur të identifikojnë autorët.

Kjo argjendari është bërë pre e grabitjes për të disatën herë. Në vitin 2019 këtu u vodhën disa miliona leke, ndërsa ende nuk dihet shuma e grabitur një natë më parë.

Por duket se rastet e vjedhjeve në qarkun e Elbasanit po marrin përmasa shqetësuese. Dy biznese dhe një shtëpi janë grabitur në Belsh dhe një tjetër në Elbasan. Asnjë autor nuk është identifikuar.

Top Channel