Numri i viktimave nga koronavirusi i ri ka shkuar tani në 106, me numrin e të infektuarve që thuajse dyfishohet çdo ditë.
Numri total i rasteve të konfirmuara nga kina shkoi në 4515 të hënën, me 2835 më shumë krahasuar me një ditë më parë. Japonia ndërkohë ka nisur një avion drejt Vuhanit për të evakuuar qytetarët e saj ndërsa përpjekjet për të tërhequr shtetasit e huaj nga qyteti në epiqendër të epidemisë po intensifikohen. Virusi është përhapur tashmë në të gjithë kinën dhe në të paktën 16 vende të tjera të globit.
Vuhani, por edhe e gjithë provinca Hubei, janë efektivisht në karantinë me kufizime strikte transporti. Mbajtja e maskave në publik është tani e detyrueshme në disa qytete kineze. Të hënën, autoritetet në Pekin konfirmuan se një 50 vjeçar kish humbur jetën duke u bërë viktima e parë e virusit në kryeqytetin kinez. Pjesa më e madhe e viktimave janë regjistruar në provincën Hubei dhe në të shumtën e rasteve janë të moshuar me probleme të mëparshme shëndetësore. Në total 60 persona kanë dalë nga spitali dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre pas shërimit. Virusi ka prekur tashmë edhe Evropën dhe përkrah Francës, që kishte deklaruar më herët tre viktima, edhe gjermania të hënën raportoi rastin e parë me këtë lloj koronavirusi.
Autoritetet shëndetësore thonë se personi i prekur ishte nga shteti i Bavarisë. Të tjera raste të virusit të frikshëm, janë raportuar edhe në Shtetet e Bashkuara, Australi, Kanada, Kore të Jugut, Tajvan, Tajlandë, Malajzi etj. Zyrtarët kinezë besojnë se koronavirusi i ri e ka origjinën në një treg të ushqimeve të detit në Vuhan dhe tani mund të përhapet nga njeriu tek njeriu. Autoritetet kineze gjatë fundjavës thanë se virusi ishte në gjendje të përhapej gjatë periudhës së inkubacionit dhe para se simptomat të shfaqeshin, ashtu si edhe një grip normal. Kjo e dallon atë nga rastet si sarsi dhe ebola dhe e bën shumë më të vështirë vënien nën kontroll. Periudha e inkubacionit sipas OBSH mund të variojë nga dy në 10 ditë. Por ndryshe nga kina, ajo thotë se mbetet e paqartë nëse virusi është ngjitës para shfaqjes së simptomave.
Top Channel