Gjykata Kushtetuese ka pranuar që të hedhë hapin e parë drejt shqyrtimit të ankimimit të bërë nga kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi , e cila kërkon që zgjedhjet lokale të 30 qershorit të shpallen të pavlefshme.
Burime për Top Channel konfirmojnë se Dhoma e Këshillimit e ka dërguar çështjen për në mbledhjen e gjyqtarëve, të cilët do duhet të vendosin për dërgimin ose jo të ankimimit të Ademit, për shqyrtim në seancë plenare.
Megjithatë kjo është vetëm një dritë jeshile në përpjekjen e opozitareve për të rrëzuar zgjedhjet lokale pasi aktualisht Gjykata Kushtetuese përbëhet nga katër anëtar, ndërsa për një vendim përfundimtar mbi vlefshmërinë apo jo të 30 qershorit duhet një trupë e plotë prej 6 anëtarësh. Kjo do të thotë se ankimimi i Ademit për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet e 30 qershorit do duhet të pritet zgjedhja edhe të dy anëtarëve të tjerë që të plotësohet trupa gjykuese.
Ky vendim i Kushtetueses merr një vëmendje të veçantë ne kushtet kur vendi vijon të jetë në krizë politike ndërsa palët kanë arritur të ulen vetëm për Reformën Zgjedhore që sipas tyre mund ti hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme lokale dhe parlamentare në një ditë. Kujtojmë se Voltana Ademi në 18 korrik kërkoi shpalljen antikushtetues të zgjedhjeve të 30 Qershorit me argumentin se Presidenti anuloi dekretin.
Ishin SHBA-të të cilët theksuan se të gjithë ata që kishin pretendime për zgjedhjet e 30 qershorit duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese sapo të ngrihet dhe të kompletohet më të gjithë trupën gjykuese.
Top Channel