Të mbijetuarit e tërmetit vdekjeprurës që u regjistrua në Elazig, në Turqinë lindore, janë strehuar në dy trena të parkuar në stacionin e trenave të qytetit.
Shumë prej tyre nuk mund të kthehen në shtëpi, sepse ato kanë pësuar dëme të konsiderueshme, ose për shkak të frikës nga pas lëkundjet, që nuk ndalen.
“Fillimisht mendova se do të qëndronim në stacion. Më pas na thanë se do sillnin një tren në stacion në të cilin ne do të mund të flinim dhe të qëndronim ngrohtë. Fillimisht u habitëm. Sot shkuam në shtëpi të shihnim dëmet, ishin të mëdha, ndaj do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu”.
“Jemi organizuar në këtë mënyrë: e kemi lënë vagonin e kabinave të gjumit për fëmijët. Ne qëndrojmë në vagonin tjetër. Nuk mund të shtrihemi por sidoqoftë, mund të flemë në karrige”.
Janë 10 vagonë që përdoren gjatë ditës dhe deri në 20 në mbrëmje, në varësi të nevojave. Por ashtu pritet të vijnë edhe 10 vagonë të tjerë nga Ankarata. Të dielën, u shuan shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë nën rrënoja me bilancin e viktimave që ka shkuar në 36. Rreth 4 mijë punonjës të skuadrave të shpëtimit, u angazhuan në rrënoja, në temperatura të acarta, por pa rezultat. 1607 vetë janë lënduar nga tërmeti, me 104 prej tyre në spitale.
Top Channel