26 janarit ishte një ditë e errët jo vetëm për basketbollin, por për të gjithë botën sportive, teksa humbi jetën në një aksident fatal legjenda e NBA, Kobe Bryant.

41-vjeçari po udhëtonte me helikopterin e tij privat në bordin e së cilës ishte edhe vajza e tij 13 vjeçare Gianna si dhe 7 persona të tjerë duke përfshirë këtu edhe pilotin. Mendohet se shkak i aksidentit u bë mjegulla që shkaktoi problem me vizibilitetin e pilotit me helikopterin që u përplas me një kodër rreth 420 m të lartë teksa po fluturonte me shpejtësi 296 km/h.

Kjo tragjedi e Kobe Bryant preku të gjithë botën. Emra të mëdhenj të sportit e jo vetëm, si presidenti Donald Trump, komisioneri i NBA, Adam Silver, basketbollistë si Shaq O’Neal apo edhe futbollistë e klube futbolli mes të cilëve edhe Ronaldo e Messi, shprehën dhimbjen e tyre për humbjen e jetës së Kobe Bryant, mesazhe të cilave iu bashkuan edhe klube futbolli, lojtarë e sportistë shqiptarë.

Dy prej yjeve të NBA, Lebron James dhe Dwayne Wade shprehën dhimbjen e tyre për këtë humbje të madhe, madje Wade nuk arriti të përmbajë as lotët.

“E kam ndjekur Koben që në vitet e shkollës së mesme, është një person nga i cili u frymëzova, mora motivim. Më ndihmoi edhe para se të më njihte, për shkak të asaj që ai ishte në gjendje që të bënte”, ka thënë Lebron James.

“Sot është një nga ditët më të trishtuara të jetës sime. Është si një ëndërr e keqe nga e cila dëshiron që të zgjohesh, është një makth. E di që të gjithë ndiheni si unë për një lider e kampion të madh e një person fantastik. Do të më marrë malli për të e miqësinë e tij”, është shprehur Wade.

Kobe Bryant ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy ku këngëtarja e njohur Alicia Keys në momentin e hapjes së mbrëmjes i dedikoi një homazh këtij basketbollisti të madh.

Ndërsa Los Angeles tifozë të shumtë iu drejtuan Staples Center për të nderuar kujtimin e Kobe Bryant, një basketbollist spektakolar që ka ditur t’i argëtojë me lojën e tij.

Ndërkaq, NBA vendosi të mos pezullojë ndeshjet e radhës së kampionatit dhe skuadrat gjetën mënyrat e tyre për të nderuar këtë legjendë të basketbollit. Në Neë York, Madison Square Garden u ndriçua nga ngjyrat verdhe e vjollcë të skuadrës së LA Lakers.

Ndërsa në San Antonio dhe Memphis, në sfidat e luajtura në këto dy qytete basketbollistët vendosën të mbajnë lojën për 8 dhe 24 sekonda në startin e saj, ndërkohë që të pranishmit u dëgjuan të thërrisnin emrin e Kobe Bryant./Klara Asqeriu/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA