Për të përmbushur afatin përfundimtar të 15 marsit, ditë kur Reforma Zgjedhore do duhet te kalojë në Parlament përfaqësuesit politik me ekspertët përkatës miratuan një kalendar pune të detajuar duke mos lënë jashtë asnjë propozim të bere nga partitë politike.

Brenda 10 shkurtit duhet te marrë zgjidhje fenomeni i shitblerjes së votës, krimeve zgjedhore dhe abuzimit me burimet shtetërore.

“Ne ja kemi bërë të qartë opozitës dhe kjo u diskutua edhe në grupin e punës, që për këto çështje që ata i mendojnë shumë specifike le të vijnë me propozimet e tyre. Pra, nëse opozita ka pretendime për forcimin legjislacionit penal, ka çështje të tjera të aspektit organizativ apo propozon skema që mund të jenë më efikase në parandalimin e shkeljeve zgjedhore, le të vijnë me propozime konkrete”, deklaroi bashkëkryetari socialist i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri.

“Opozita është e angazhuar maksimalisht për të ecur me shpejtësi me drafte, me propozime konkrete, duke marrë në konsideratë punën që është bërë gjatë gjithë kësaj periudhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore që në kohën kur opozita ishte palë e atij Komisioni. Ajo që ka rëndësi të thuhet është se dokumenti i sotëm përfshin të gjitha çështjet që kemi ngritur politikisht në Këshillin Politik”, theksoi Oerd Bylykbashi, negociatori i PD-së për reformën zgjedhore.

Përfshirja e teknologjisë elektronike në zgjedhje dhe financimit të partive , nuk ka mbetur jashtë kalendarit të punës, ndërsa fillimi i marsit i dedikohet ndryshimit të sistemit dhe votës së emigrantëve.

“Nuk do jetë reformë sipërfaqësore. 15 marsi datë është ambicioze dhe shumë e pamundur, por ekspertët do ulen do punojnë paraprakisht, nëse është e nevojshme do ketë ndryshime edhe në kushtetute, jo vetëm ne Kodin Zgjedhor”, u shpreh Rudina Hajdari, bashkëkryetarë e komisionit për reformën zgjedhore.

Takimi i parë i grupit te punës u vëzhgua nga afër nga ambasadori britanik Duncan Norman, i cili pati një ndikim të rëndësishëm ne rikthimin e dialogut politik./Elda Menga/

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA