Vazhdon momenti jo për Interin në Serie A. Zikaltrit regjistruan barazimin e tretë radhazi në shifrat 1-1 pasi u ndalën në San Siro nga Cagliari, skuadër që pak ditë më parë e kishin mposhtur thellë me rezultatin 4-1 në Kupën e Italisë.
Një tjetër asist i Interit për Juventusit pasi nëse bardhezinjtë fitojnë në mbrëmje ndaj Napolit mund të shkëputen në 6 pikë diferencë në krye të renditjes. Goli i Lautaro Martinez në minutën e 29-të nuk i mjaftoi skuadrës së Contes, një gol që u kontestua nga Nainggolan me shokë për një shtyrje të lehtë të Lautaros por që gjyqtari edhe me ndërhyrjen e VAR e konsideroi të rregullt.
Pas golit që zhbllokoi shifrat Interi shpërdoroi raste pafund sidomos me Sensin dhe Lautaro Martinez që në disa raste u treguan edhe egoistë dhe ligji i pashkruar në futboll “po nuk shënove do të pësosh” u përsërit edhe këtë herë teksa në minutën e 78-të një goditje nga distanca e ishit të madh të sfidës Radja Nainggolan u devijua nga Bastoni dhe la të shtangur Handanovicin duke sjellë golin e barazimit për Cagliarin. Përpjekjet e Interit deri në fund ishin të kota pasi me përjashtim të një avancimi personal të Lukakut me goditjen e tij që nuk gjeti portën nuk kishte raste të tjera të pastra për t’u përmendur. Në fund zikaltrit humbën edhe Lautaro Martinez i cili për protesta u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Manganiello dhe për tonet e ashpra që mund të ketë përdorur ndaj kryesorit rrezikon një pezullim prej 2 ose 3 ndeshjesh dhe nëse kjo ndodh do të humbasë derbin ndaj Milanit i vlefshëm në javën e 23-të të Serie A. Ndeshja u mbyll me polemika dhe protesta ndaj gjyqtarit për kartonin e kuq që mori sulmuesi argjentinas. Janari konfirmohet si një muaj i zi për Interin edhe me Antonio Conten në stol, me zikaltrit që vazhdojnë traditën e viteve të fundit.
Top Channel