Dezertoi nga kampi i muxhahedinëve/ Kush është Ehsan Bidi që do të dëbohet nga Shqipëria në Iran?

26/01/2020 15:10

Pak ditë më parë, Top Channel raportoi se autoritetet e antiterrorit dhe migracionit po bëhen gati të dëbojnë iranianin Ehsan Bidi, dezertor nga kampi i muxhahedinëve në Manzë.

Po ashtu mësohet se Ehsan Bidi i është refuzuar leja e qëndrimit dhe aktualisht po mbahet në qendrën e mbyllur të Karecit derisa të përfundojnë procedurat e largimit të tij.

Muxhahedinët që qëndrojnë në Kampin e Manzës në Shqipëri, kanë publikuar një profil se kush është Ehsan Bidi, i cili ka dezertuar nga radhët e tyre dhe siç edhe njoftoi ditë më parë Top Channel, ai do të dëbohet në Iran, pasi autoritetet shqiptare i kane refuzuar lejen e qëndrimit ne vendin tone. Krahas akuzave të ngritura më herët ndaj tij,muxhahedinet thonë se Bidi në 19 Prill 2012, u dorëzua para forcave Irakiane dhe shkoi në Hotelin Mohajer, i cili kontrollohet nga elementë të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së regjimit (MOIS) dhe Forcës terroriste të Qods. Ndërkaq, në mesin e 2012, Bidi shkoi në Turqi dhe prej andej në Egjipt, duke përdorur një pasaportë të falsifikuar. Ai ra në prangat e policisë egjiptiane.

Në raport thuhet se ndërsa Ehsan Bidi mbahej në burg në Egjipt, ai ishte në kontakt me përfaqësimin e regjimit në atë vend. Inteligjenca e mullahëve u përpoq ta dërgonte Bidi në Austri, Finlandë apo Danimarkë, por këto vende nuk e pranuan dhe ai u kthye në Irak. Duke përdorur një pasaportë iraniane e cila iu sigurua nga MOIS, ai u dërgua përsëri në Turqi dhe më pas prej andej në Rumani, dhe se fundmi në Shqipëri.

Numri i tij i pasaportës, sipas Rezistencës Iraniane, është lëshuar në 27 Janar 2013. Para kësaj, Rezistenca iraniane kishte thirrur në mënyrë të përsëritur për mbylljen e spiunazhit dhe qendrave të terrorizmit të regjimit, si dhe për dëbimin e agjentëve dhe mercenarëve të MOIS dhe forcës terroriste të Qods, nga SH.B.A. dhe vendet evropiane. Ehsan Bidi, mbërriti në Shqipëri si pjesë e kontigjentit të më tepër se 2 mijë muxhahedinë nga kampi i lirisë në Irak, i cili më pas dezertoi./Andi Bora/

Top Channel