Virusi i rrezikshëm në Kinë/ Ndërtohet spitali me 1 mijë shtretër për të kuruar viktimat e koronavirus

24/01/2020 11:24

Kina ka zgjeruar izolimin në provincën Hubei, e cila tani njihet si qendra ku ka shpërthyer koronavirusi, teksa numri i të vdekurve ka arritur në 26.

Të paktën 10 qytete në qendër të kësaj province kineze, me një popullsi prej 60 milionë banorësh, kanë vendosur kufizime në udhëtim. Të enjten, një pacient humbi jetën në provincën e afërt Hebei, duke shënuar vdekjen e parë prej këtij virusi jashtë Hubeit. Një tjetër viktimë më vonë është konfirmuar në Heilongjiang. Në gjithë Kinën aktualisht është konfirmuar për 830 persona të prekur me këtë virus. Masat izoluese vijnë në kohën e përgatitjeve për të shënuar Vitin e Ri Kinez, një prej datave më të rëndësishme në kalendarin e këtij vendi. Miliona persona tradicionalisht udhëtojnë në shtëpi për këtë festë, mirëpo në provincën Hubei nuk do të ketë festime.

Qyteti i Vuhanit ndërkohë po ndërton me shpejtësi një spital me 1 mijë shtretër për të trajtuar viktimat e koronavorusit të ri, duke mobilizuar të gjitha kapacitetet e mundshme që ai të jetë gati për javën e ardhshme. Sipas mediave shtetërore kineze., makineri ndërtimi, përfshirë 35 ekskavatorë dhe 10 buldozerë, kanë mbërritur në vendin ku do të ndërtohet spitali mbrëmjen e të enjtes me qëllim që ai të jetë gati të hënën.

Përveç Kinës, virusi është duke u shpërndarë edhe në Singapor, Vietnam dhe një rast është raportuar edhe në Shtetet e Bashkuara. I njohur si 2019-nCoV, virusi është thënë se është një lloj i koronavirusit që më parë nuk është identifikuar në njerëz. Virusi SARS që ka lënë të vdekur rreth 800 persona në gjithë botën në fillim të viteve 2000 ka qenë po ashtu koronavirus.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA